Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pasi në mediet e Shqipërisë, është publikuar një fotografi ku ai ndodhet në një tavolinë personin që ditëve të fundit u tha se ka planifikuar vrasjen e kryeministrit Albin Kurti dhe dy figurave tjera politike në Kosovë.
Selmanaj ka shpjeguar se si i ka rastisur të jetë në një tavolinë me Prek Kodrën, duke thënë se takimi ka ndodhur me ftesë të një familjari të tij, që e ka ftuar të pijë kafe me dy miq nga Shkodra.
Ai ka thënë se kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që e ka takuar Prek Kodrën, të cilit siç thekson nuk ia ka ditur emrin.
Njoftimi i plotë:
Sqarim
Para pak orësh e kuptova që në mediet e Shqipërisë po qarkullon një fotografi ku unë ndodhem me një tavolinë me personin që ditëve të fundit është bërë lajm për planifikim atentatesh në Kosovë. Po e ndjej të nevojshme ta sqaroj në detaje gjithë ngjarjen se si kam qëlluar unë në atë tavolinë.
Ka qenë fundi i vitit 2020, unë isha rrugës në relacionin Prishtinë – Prizren dhe më merr në telefon Beg Salihi (mik i familjes sonë / vllau i gruas së djalit të axhës tim), ku më thotë që nëse ke pak kohë eja ta pijmë nga një kafe se i kam ca miq nga Shkodra. Unë për respekt për mysafirët nga Shqipëria ndalem në një restoran në fshatin Korishë të Prizrenit.
Aty kanë qenë dy mysafir nga Shkodra, miku i familjes sime dhe disa të afërm të mikut tim.
Në restoran kemi qëndruar përafërsisht mbi 1 orë dhe nga ajo ditë personin në fjalë nuk e kam takuar kurrë. Pra kjo ka qenë hera e parë dhe fundit që e kam takuar dhe as atëherë dhe as sot emrin nuk ja kam ditur. Kjo ka qenë e gjitha! Çdo shpjegim apo intepretim tjetër është GABIM dhe GËNJESHTËR.
Fatmirësisht apo fatkeqësisht ne si deputet apo persona publik, jo rrallë herë na bjen të takohemi me shumë njerëz dhe asnjëherë para apo gjatë takimit me ta, ne nuk ua kërkojmë biografitë apo CV- të e tyre. Me gjasë ky është rrisku që duhesh ta paguash kur je person publik.