Zvicra është e zemëruar pas eliminimit nga Argjentina në çerekfinale të Kampionatit Botëror.
Kartoni i dytë i verdhë për Breel Embolon, i dhënë pas ndërhyrjes së VAR-it për simulim, ka shkaktuar polemika të mëdha, ndërsa futbollistët zviceranë besojnë se janë dëmtuar nga gjykimi.
Argjentina siguroi kualifikimin në gjysmëfinale pas fitores 3:1 pas vazhdimeve, por ndeshja u shoqërua me diskutime të shumta rreth vendimeve të arbitrit portugez João Pinheiro.
Në minutën e 72-të, Pinheiro përjashtoi Breel Embolon me kartonin e dytë të verdhë, pasi rishikoi pamjet me VAR dhe vlerësoi se sulmuesi zviceran kishte simuluar për të fituar faull.
“Granit Xhaka nuk heshti pas eliminimit: “Vërtet doni t’ju them?”, është titulli i mediumit boshnjak “Sportsport”.
“Për zviceranët ky vendim ishte vendimtar dhe ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e takimit.
Edhe pse, sipas rregullave të reja, ndërhyrja konsiderohet e lejueshme, kapiteni Granit Xhaka nuk e fshehu zhgënjimin”, ka shkruar më tej,
“Vërtet doni t’ju them çfarë ndodhi pas asaj që i ndodhi Egjiptit dhe Ishujve të Kepit të Gjelbër?”, deklaroi Xhaka.
Më pas ai vazhdoi:
“Kam vite të tëra në futboll dhe kurrë në jetën time nuk kam parë që VAR-i të ndërhyjë për simulim vetëm për t’i dhënë një lojtari kartonin e dytë të verdhë.
I njëjti VAR nuk ndërhyri gjatë ndeshjes kur futbollistët argjentinas bënin faulle ndaj nesh”
“Sonte arbitri u kujdes që ata të kishin çdo avantazh të mundshëm. Ne erdhëm të luanim futboll, jo të luftonim kundër gjyqtarëve.”
Edhe Remo Freuler reagoi ashpër ndaj vendimit.
“Është katastrofë. Nuk e kuptoj çfarë bëri arbitri në këtë rast.
Nuk e kuptoj si VAR-i mund ta ndryshojë kaq lehtë një ndeshje.”
Ai shtoi se përjashtimi i Embolos ndryshoi plotësisht zhvillimin e takimit.
“Nuk mund ta ndryshojmë rregullin, por ky vendim e vrau ndeshjen.
Mos e vrisni futbollin në këtë mënyrë. Me 11 kundër 11 i kishim nën kontroll.”
Pas eliminimit, në opinionin sportiv zviceran mbizotëron bindja se kombëtarja u dënua dyfish: jo vetëm për shkak të kartonit të kuq të Embolos në momentin kur skuadra po dukej më e rrezikshme, por edhe sepse ekziston përshtypja se për kombëtaret e mëdha dhe ato më të vogla zbatohen standarde të ndryshme të gjykimit.