Vuçiç, opozitës: Mund të keni dëshira të mëdha për Kosovën, por mundësitë i kemi të pakëta

Dëshirat ndaj Kosovës i keni maksimale por mundësitë të pakëta, u ka thënë deputetëve opozitarë në seancën e thirrur për të diskutuar për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Qeveria e tij, tha Vuçiç, rreth Kosovës ndjek politika “mes asaj se çfarë është e dëshirueshme dhe çfarë është e mundshme”.

“Njerëzit shpesh thonë se Kosova ka qenë gjithmonë e jona. Kjo thjesht nuk është e vërtetë, ne kemi pasur gjithashtu edhe ambasadorë atje”, ka thënë Vuçiç.

Presidenti serb u ankua se që nga 1961 e deri më 1991, popullata serbe në Kosovë ka rënë prej 27% në 11%, ndërsa tha se sot, sipas përllogaritjeve të Serbisë, janë afro 6.5% serbë.

“Por më lejoni t’ua qartësojë menjëherë. Republika e Serbisë as direkt as indirekt nuk do ta njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës, e as nuk do të dorëzojë luftëne saj legjitime për interesat shtetërore dhe nacionale të saj, dhe luftën për respektimin e ligjit ndërkombëtar” ka thënë Vuçiç.

Ai tha se qytetarëve serbë u kërkon të jenë racionalë dhe realistë. “Të dinë se çfarë është e mundshme”, tha Vuçiç.

“Tani të vimë te raporti. Ne jemi në një moment ku Serbia është ekspozuar ndaj sfidave serioze të sigurisë për shkak të lëvizjeve të Prishtinës. Më duket mua se ju e kuptoni dhe e ndjeni edhe ju”.

“Dua t’ju them se kemi një prani në rritje të forcave speciale të policisë së Prishtinës në veri të Kosovës, do të flas edhe për vendosjen e pozicioneve të tyre. Nuk ka krijim krizash nga pala serbe, siç thonë këtu disa politikanë vendas. Rreziku është i afërt, objektiv dhe serioz. Për këtë mund ta dëshmojnë më së miri përfaqësuesit e popullit dhe institucioneve nga Kosova që janë sot këtu”.

“Serbia në asnjë mënyrë nuk ndikoi në gjenerimin e krizës. Ne jemi ende të përkushtuar ndaj dialogut”, tha ai.

Vuçiç u tha deputetëve ta kenë ndërmend se vendet më të fuqishme të BE-së dhe ShBA e njohin Kosovën. “Ata kanë pranuar Kosovën, dhe do t’u qëndrojnë pas shqiptarëve. Nuk dua që të keni iluzione rreth kësaj. Nuk ka asnjë politik ku kjo do të ndryshonte”.

Nëse na sulmojnë kemi fuqi të mjaftueshme të mbrojmë veten, ka thënë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në seancën parlamentare ku ka paraqitur raportin për dialogun me Kosovën.

Serbia i kupton pasojat shkatërrimtare të luftës, tha Vuçiç, andaj, sipas tij, “lutet për paqe, por jo sepse kemi frikë”.

“Po ua parafrazoj Bizmarkun: ‘Kushdo që ka parë në sytë e një ushtari që po vdes do të mendoj dy herë para se të nis luftë’. Ne serbët mendojmë se i kemi të gjitha të drejtat, dhe se të tjerët duhet të kenë më pak të drejta”.

“Ne të gjithë duhet të kemi të drejta të barabarta, edhe serbët edhe shqiptarët, dhe vetëm kështu mund të gjejmë paqe të brendshme”, ka thënë ai teksa partia e Vuk Jeremiç po i gjuanin me gjëra drejt foltores.

Vuçiç tha se i ka “lutur” serbët e Kosovës të mos dalin nga institucionet e Kosovës, “edhe pse kjo gjë është shumë jo popullore në Serbi”.