Turqia dhuron 40 automjete për ushtrinë shqiptare

40 automjete (Fiat EGEA) dhe autobusë u janë dhuruar Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga Turqia.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në ceremoninë e dhurimit shprehu falënderimet në emër të qeverisë shqiptare ndaj palës turke për mbështetjen e vazhdueshme që u ka dhënë Forcave të Armatosura për modernizimin e tyre dhe rritjen e kapaciteteve operacionale.

“Kjo ndihmë është shumë më tepër se një kontribut për modernizimin dhe rritjen e Forcave të Armatosura shqiptare, lëvizshmërinë dhe aftësitë operacionale. Është një simbol i një marrëdhënieje të vazhdueshme themeli të nxitur gjatë viteve të historisë sonë moderne. Dhe në ditët e sotme, trupat tona punojnë së bashku, stërviten dhe edukohen së bashku”, u shpreh gjatë fjalës së tij ministri Peleshi.

Ai përmendi faktin se një numër i lartë studentësh shqiptarë janë diplomuar në akademitë ushtarake turke, duke e cilësuar këtë një shtyllë të fortë të bashkëpunimit mes dy vendeve që prej vitit 1992.

Ministri i Mbrojtjes vlerësoi ndihmën e dhënë edhe për emergjencat civile, kryesisht nëpërmjet marrëveshjeve financiare dhe granteve ushtarake, duke përmendur këtu nënshkrimin e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit financiar ushtarak mes dy ministrive të mbrojtjeve të dy vendeve.