Kosova dhe Serbia arritën sot një marrëveshje për dokumentet e identifikimit sipas së cilës asnjëra palë nuk do të kërkojë dokument për hyrje/dalje për shtetasit e palës tjetër në pikëkalimet kufitare.
Serbia do t’i njohë dokumentet kosovare, por thotë se kjo nuk nënkupton njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe se kjo po bëhet ekskluzivisht për të mundësuar lëvizjen e lirë.
Në fakt një marrëveshje për lëvizjen e lirë, në emër të së cilës Kosova dhe Serbia thonë se arritën një dakordim, ishte nënshkruar në vitin 2011 në Bruksel.
Madje, ujdia e firmosur më 2 korrik të atij viti nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Catherine Ashton si përfaqësuese e BE-së, kishte sjellë dokumentin për hyrje/dalje.
“Secila palë mund të zbatojë një sistem, ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me shkrim “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër të cilët dëshirojnë të kalojnë tranzit në një shtet të tretë”, thuhej në pikën 3 të kësaj marrëveshje.
Qytetarët e Kosovës sa herë që kanë kaluar në Serbi janë pajisur me dokumentin shtesë që përmendet në këtë marrëveshje. Por, njëjtë nuk ka ndodhur edhe me serbët që janë futur në territorin e Kosovës.
Kur Qeveria Kurti njoftoi se nga 1 gushti do të nisë së zbatuari këtë pikë si masë reciprociteti vendimi u kundërshtua nga Beogradi zyrtar çka shkaktoi trazira në veri të vendit ku serbët lokalë vendosën barrikada – siç bëjnë rëndom për vendimet e institucioneve kosovare që nuk iu shkojnë në favor.
Me marrëveshjen e sotme, pika 3 e ujdisë së vitit 2011 bie, dhe qytetarët e të dyja vendeve mund të lëvizin lirshëm.
Në këtë marrëveshje kishte dakordim edhe për targat e automjeteve, një temë tjetër shumë e nxehtë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ku thuhej se të gjithë ata që banojnë në Kosovë duhet të pajisen me targat e Republikës së Kosovës (RKS) ose ato me status neutral (KS).
“Të gjithë pronarët e automjeteve me vendbanim në Kosovë do të përdorin targat RKS ose KS (sipas pikës 6 më lartë). Ato do të lëshohen nga autoritetet përkatëse në Kosovë dhe do të shpërndahen me ndihmën e EULEX-it kudo që kërkohet. Secila palë do të bëjë përpjekje maksimale për të implementuar si më lartë”, thotë pika 7 e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel.
Pavarësisht asaj që shkruhej në letër në katër komunat veriore të Kosovës qytetarët serbë vazhduan t’i kenë targat e qyteteve të Kosovës (si PR, KM dhe GL) të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Marrëveshje për targat ende nuk ka, derisa zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje që pas marrëveshjes për dokumente të ketë edhe një të tillë për targat.