Mërgimtari në Shtime bllokon rrugën me veturë për t’i lënë të kalojnë dasmorët

Rastet kur mëgimtarët marrin vëmendje me veprimet e tyre kur kthehen në vendlindje, nuk janë edhe të rralla në vendin tonë. Një rast i fundit ka ndodhur sot rreth orës 11:43 në komunën e Shtimës, me ç’rast një mërgimtarë ka thyer rregullat e trafikut duke bllokuar rrugën për t’iu dhënë hapësirë dasmorëve të kalojnë rrugën, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizues kanë dërguar pamje në redaksinë e Sinjalit, ku shihet një veturë me targa të huaja në mes të rrugës, ndërsa veturat tjera me flamuj në anën e djathtë e kalojnë rrugën. Ashtu siç informon sinjalizuesi, vetura ka qenë me targa të Gjermanisë.

Sipas pamjeve, shihet se shoferët që kanë qenë në drejtim të kalojnë rrugën, ku mërgimtari e ka bllokuar, nuk marrin asnjë veprim për të pyetur se çka po ndodh, apo cila është arsyeja e bllokimit vetëm se presin për të kaluar dasmorët.

Theksojmë se bllokimi i rrugës pa ndonjë arsye të rëndësishme, është njëra nga thyerjet e rregullave të trafikut e cila dënohet me ligj.