Ekskluzive: Flet Aida Birinxhiku, 23 vjeçarja nga Kosova që po shkëlqen në fushatën e partisë Socialdemokrate në garë për deputete në parlamentin Suedez

Aida Birinxhiku është vetëm 23 vjeçare, por ka arritur të bëhet një emër i njohur në politikën suedeze.
Pavarësisht moshës së re, ajo po shkëlqen në fushatën elektorale që po mbahet në Suedi, duke qenë një nga kandidatet në 5-shen e parë të partisë Socialdemokrate.

Nëse arrin të marrë besimin e elektoratit, e që gjasat e saj janë shumë të mëdha, Aida do të shënojë historinë duke u bërë kështu deputetja e parë shqiptare në parlamentin suedez, shkruan Gazeta Infokus.

Birinxhiku jeton dhe vepron në Halland, Falkenberg të Suedisë, dhe është kandidatja numër 3 në listën e partisë Socialdemokrate, duke i shtuar kështu gjasat që të jetë fituese dhe të përfaqësojë në Kuvend edhe komunitetin shqiptar në këtë shtet.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Infokus, 23 vjeçarja, ka treguar më shumë se si familja e saj emigroi për në Suedi në vitet e 90ta.

“Prindërit e mi kanë emigruar në Suedi në vitin 1998. Babai im me profesion është doktor ndërsa nëna ime është edukatore. Unë jam mirënjohëse për çdo mundësi që më është dhënë për atë që Suedia i ka dhënë familjes time dhe familjeve të tjera shqiptare por besoj se Suedia mund të bëhet edhe më e mirë”, ka thënë ajo.

E pikërisht kjo është edhe arsyeja që e shtyu atë ti hyjë politikës qysh nga viti 2014, si dhe të kandidojë për deputete në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 11 shtator të vitit 2022 në Suedi.

“Që Suedia mund të bëhet edhe më mirë kjo është edhe arsyeja pse unë u aktivizova në politikë qysh nga viti 2014. Unë fillova aktivizmin tim politik në shoqatën e të rinjve socialdemokrate në Halland, ku për një kohë isha edhe kryetare. Më pas u zgjodha në këshillin bashkiak në Falkenberg në vitin 2018. Ndërsa sot jam kandidate në zgjedhjet parlamentare në Suedi”.

Birinxhiku përveç që ka mundësinë të bëhet e para vajzë me rrënjë shqiptare në parlamentin Evropian, gjithashtu nëse arrin të marrë votat do bëhet edhe deputetja më e re në moshë në Suedi.

Ajo konsiderohet një yll në rritje në partinë e saj dhe vlerësohet shumë edhe nga kolegët e saj.