Kurti: 11 vjet ka pasur pritje për zbatimin e këtyre vendimeve, tash për një muaj ka nxitim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë. Sipas Kurtit, 11 vjet ka pasur pritje për zbatimin e këtyre vendimeve, ndërsa tash për një muaj ka nxitim.

Kurti përsëriti se Beogradi zhvilloi një fushatë të egër dezinformimi dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse shtyu zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë.

“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 vjetëve, ne po fillojmë ta zbatojmë tani. 11 vjet ka pasur pritje, ndërsa tash në më pak se një muaj ka nxitim. Ky një muaj qenka më i rëndë se ato 11 vjet. Për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që është bërë nga Beogradi, ne kemi pranuar te faktorët ndërkombëtarë që ta shtyjmë zbatimin e vendimin deri në shtator. Nga ne është bërë mjaftueshëm, por është zhvilluar një fushatë e egër nga Beogradi. Janë barrikada që vijnë nga lartë. Me punë dhe angazhim gjithçka do ta përmbyllim mirë. Ne jemi të vendosur në këtë që bëjmë. Në rrethanat që ndodhemi, e kemi marrë vendimin më të mirë të mundshëm. Më mirë me 1 shtator se hiç. E edhe më mirë do të ishte të zbatohej që nga viti 2011, kur u arrit marrëveshja në Bruksel”, ka thënë Kurti në Kuvend.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë luftim të krimit e korrupsionit në veri sesa tash. Para 4 vjetëve kryekrimineli atje që është sot Radojçiq është pritur në zyrë të kryeministrit a sot ka flet arrest dhe është në listë të zezë të SHBA-së. Ka ardhur në veri për një video dhe është në Serbi. Ky është dallim i madh. Mos më shitni patriotizëm dhe moral se ju njohim mirë”, u shpreh Kurti në fund duke iu kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili e quajti kryeministrin “good guy”.

Këtyre akuzave iu përgjigj Haradinaj, i cili pyeti Kurti për ministrin Goran Rakiq.

“Mos merr merita për listën e zezë. Atë e ka bërë SHBA-ja. Kallxona çka po bëhet me Rakiqin. Ti je në karrige me të”, ka thënë Haradinaj.

Por Kurti i kujtoi Haradinajt se pjesëmarrja e Listës Serbe në Qeveri është obligim kushtetues.

“Unë gjithmonë kam qenë ‘good guy’. Çfarë vlere paska mos me qenë ‘good guy’? Kam besuar në atë që them dhe kam vepruar në atë që kam besuar. Unë jam radikal për nga tema. S’kam koalicion me Listën Serbe. Është obligim kushtetues për të cilin unë kam qenë kritik”, shtoi Kurti.

Bekim Haxhiu ka thënë se asnjë parti më shumë se PDK-ja nuk ka bërë më shumë për ta shtrirë sovranitetin në veri.

“Asnjë parti nuk ka punuar më shume për veriun se PDK-ja. Për herë të parë ka filluar kthimi i shqiptarëve nga jugu në veri. Me PDK-në është rrëzuar muri ndarës në lumin Ibër, me PDK-në është ndal treni i Serbisë”, ka thënë Haxhiu, i cili pati akuza edhe për korrupsion në Qeverinë Kurti.

Por Kurti ka thënë se është kryeministri që nuk e ka asnjë numër të prokurorit apo gjykatës, duke shtuar se është i interesuar të hetohen çdo pretendim për korrupsion.

“Ju posa e shpjeguat se pse disa gjëra nuk janë kryer në të kaluarën sepse e keni pasur logjikën e shtetit parti e partisë shtet. Unë subjektin tim nuk e përmenda asnjëherë se këtë e kanë bërë zyrtarët e shtetit e jo partia siç thatë ju. Ne e kemi çliruar shtetin për t’i bërë këto veprime sepse më parë e ka dirigjuar partia. Kosova ka 200 prokurorë, 400 gjykatës, unë jam kryeministër i Kosovës që se ka numrin e asnjërit prej tyre. Çfarëdo pretendime për korrupsion kurrë nuk do ta kenë mburojën e kryeministrit sa të jem unë ai. Të gjitha pretendimet për korrupsion, jam i interesuar t’i hetojnë”, ka thënë Kurti.