Presidenti serb Aleksandar Vucic reagoi ndaj deklaratës së Ambasadorit Amerikan në Serbi, Christopher Hill, me një falënderim ironik pasi ai i kishte thënë mediave serbe se është koha në Serbi për një qeveri të re pro-perëndimore serbe, transmeton Gazeta Metro.
Në Sapc ku po përurohej ura e re mbi lumin Sava Vucic gjeti kohë edhe për pyetje të mediave dhe e shfrytëzoi rastin të reagojë ndaj komenteve të ambasadorit amerikan Hill për një qeveri pro-perëndimore serbe me një ironi ndaj qëndrimeve të tij dhe opozitës serbe.
“Nuk jam këtu t’iu plotësojë dëshirat, populli serb është ai që zgjedh. Ata zgjodhën një qeveri serbe që do të kujdeset për interesat serbe natyrisht.”
Vucic vazhdoi me përgjigjen e tij që e shndërroi në fjalim elektoral ku edhe gjeti kohë të thumbojë opozitarët e sotëm serbë dikur në qeveri dhe me vet ambasadorin amerikan madje.
“Gëzohem shumë që ambasadori Hill tha se nuk do të ndërhyjë në zgjedhjet e ministrave, kjo edhe me sa di unë është edhe normale. Jam i sigurt se nuk kanë ndërhyrë më parë, posaçërisht më 2008’n por edhe më parë. Sidoqoftë, qeveria jonë do të qepet sipas përmasave të popullit.”
Vucic ironizoi hapur edhe me kërkesat për sanksione ndaj Rusisë përsëri duke thumbuar më tej edhe SHBA dhe BE.
“Qeveria e re e Serbisë do të formohet sipas popullit, ashtu siç i dhanë votat dhe besimin populli serb partive politike” tha Vucic dhe shtoi se me “gjithë respektin ndaj Amerikës si një fuqi e madhe ne kujdesemi për interesat tona së pari. Serbia është në rrugën evropiane, atë rrugëtim do ta vazhdojmë por Serbia do t’i ruajë edhe vlerat e veta dhe nuk do të shuajë miqësitë e veta tradicionale për askënd”.