Që nga koha kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës, Edi Rama nuk është duke gjetur qetësi.
Kjo jo pse Rama e vuan fatin e Kosovës apo të Hashim Thaçit në Hagë, por ngaqë tashmë e ka kuptuar se përballë nuk do ta ketë më një homolog që ndjehet inferior përballë superioritetit të tij, siç ndjehej në të kaluarën “vëllamthi” i tij, Hashim Thaçi.
Nëse Hashim Thaçi gjatë karrierës së tij politike u përpoq të përfitonte nga lavdia e UÇK-së, Rama në mungesë të një të kaluare të ndritshme, e shfrytëzoi atë që në masë të madhe i mungonte Thaçit – oratorinë.
Si dy gjysmake, njëri pa elokuencë, e tjetri pa lavdi, bashkë ndjeheshin të plotë veçanërisht kur mjeti më i fortë që kishin në duar ishte i përbashkët – propaganda që ushtronin përmes medieve ndaj çdokujt që tentonte të thoshte se këta dy i bëjnë bashkë interesat e biznesit, e jo shqiptaria.
Pavarësisht se Hashim Thaçi asnjëherë nuk arriti që ta ketë fuqinë politike të cilën e kishte “vëllamthi” i tij Rama, për nga të bëmat u mundua që të jetë konkurrent i denjë i tij: gjatë kohës së pushteteve të tyre, shtetet shqiptare u bënë të pabanueshme.
Andaj, jo rastësisht në Shqipëri qëmoti të porsalindurit i pagëzojnë me emra të huaj që kur të rriten sa më lehtë tua germëzojnë emrin në shtetet ku qindra mijëra të rinj u larguan dhe nuk u kthyen më kurrë. Kjo ngaqë që të gjithë thuajse e kuptuam se pushtetarë të llojit “Rama-Thaçi” i zhdukën nga fjalori politik fjalët “ndershmëri” dhe “përgjegjësi”.
Antagonist i modeleve të tilla të mbrapshta është pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Vet prezenca e tij e bën edhe më dallueshme paturpësinë e atyre që qeverisën me dekada. Si e bardha mbi të zezën.
Pastërtia e tij politike, e kaluara përplot sakrificë (para dhe pas luftës), intelekti dhe përgatitja e tij sot i lë në hije gjysmakët. Apo edhe i bën më të vërejtshëm ata që mendonin se mendje hapur tregohesh kur i gjunjëzohesh Vuçiqit dhe e harron të kaluarën dhe rrugën prej nga je nisur.
Por, e kaluara të ndjek kudo. Si hije. Siç e përndoqi edhe Hashim Thaçin i cili sot ndodhet në Hagë për shkak të presionin që ushtronte dikur për themelimin e Gjykatës Speciale derisa me naivitetin e tij besonte se ai kurrë nuk do të mund të përfundonte në ulëse e saj si i pandehur. E kaluara njëjtë do ta përndjek edhe Edi Ramën i cili përgjatë tre mandateve, Shqipërinë e shndërroi në narko-shtetin e vetëm në zemër të Evropës.
Në këto rrethana, Rama më mirë se kushdo tjetër e ka kuptuar se modeli i politikanit të Albin Kurtit është fundi i tij! Të tillë do të duhet të dukeshin krejt pushtetarët e ndershëm dhe të përgjegjshëm në të ardhmen. Dhe Rama e ka kuptuar se ai dhe Thaçi së shpejti do të mbeten e kaluar. E kaluar e turpshme që brezave të rinj do t’iu shërbejë si mësim se si nuk duhesh të bësh politikë!