Bislimi udhëton për në Frankfurt, takohet me investitorë të ndryshëm

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Frankfurt të Gjermanisë ku u takua me investitorë të ndryshëm.

Bislimi tha se mori pjesë në “Investment Management Exhibition”, ku foli me investitorë për atë se çfarë Kosova i ofron investitorëve ekzistues dhe ptoencial.

“Vendi ynë ka potencial të madh zhvillimor, me moshë mesatare të re të popullsisë, cilësi të lartë të demokracisë dhe Qeveri të fokusuar në punësim dhe drejtësi. Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për mundësitë e investimit dhe po avancon përmes një agjende ambicioze drejt integrimit evropian”, ka shkruar Bislimi, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, i dyti i qeverisë tha se Kosova po bëhet vend i sigurt për tërheqjen e investimeve strategjike sidomos me krijimin e Gjykatës Komerciale.

“Gjithashtu, agjenda ambicioze legjislative dhe ndërmarrja e reformave në fushat e politikës industriale, në statusin strategjik të investitorit, krijimin e Gjykatës Komerciale, reformimit të legjislacionit për Zonat Ekonomike dhe poashtu mbi inovacionin, e bëjnë Kosovën një vend të sigurt për tërheqjen e investimeve strategjike”, ka shkruar Bislimi, përcjell Klankosova.tv.