




Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e ri të Serbisë Shaip Kamberi tha sot se pas fillimit te konsultimeve me Presidentin Vuçiq ka bërë të ditur që prioriteti i Koalicionit nga Lugina nuk është që të jetë pjesë e qeverisë së re të Serbisë, por integrimi dhe zgjidhja e problemeve shumëvjeçare të shqiptarëve.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e ri të shtetit serb, ka sqaruar se gjatë ditës së sotme i ka kërkuar Presidentit serb që Republika e Serbisë t’i pranojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si qytetarë të barabartë, të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore, dhe t’i zgjidhë problemet duke bashkëpunuar me përfaqësuesit shqiptarë.





Ai më tutje ka sqaruar se kërkesat me shkrim për planin shtat-pikësh i janë dorëzuar presidentit të Serbisë.
“Këto janë kërkesat e vjetra, që burojnë nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë më 2001, 2009 dhe 2013, dhe të cilat nuk po realizohen” tha Kamberi.
“Pika qëndrore është integrimi në institucionet shtetërore dhe publike, zhvillimi ekonomik, çështja e diplomave, e pasivizimit si dhe realizimit të marrëveshjeve të deritashme të cilat janë nënshkruar nga qeveritë e mëparshme të Serbisë. Prioriteti jonë në këto momente është që ne të fillojmë me integrimin, duke filluar nga institucionet qëndrore e po ashtu edhe ato të nivelit lokal dhe rajonal”, tha Kamberi për RTK-në.





Ai më tutje shtoi se akoma nuk kanë arritur që të jenë të integruar në nivelin qendror, meqë deri më tani nuk kanë arritur as integrimin në nivelin lokal.
Ndërkohë që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tashmë ka nisur konsultimet për mandatin e qeverisë së re me një takim me deputetin e vetëm shqiptar ne Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
I pyetur për ofertën që të jetë pjesë e qeverisë Kamberi tha se prioriteti i komunitetit shqiptar është integrimi dhe participimi adekuat ne komunat ku jetojnë.





“Nuk është prioriteti ynë, çfarëdo oferte të jetë të jemi pjesë e qeverisë, por që të kemi integrim në institucionet që veprojnë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, duke respektuar normat dhe legjislacionin e brendshëm e atë ndërkombtar, i cili garanton participim adekuat, të barabartë të pakicave nacionale në institucione të shtetit në ato komunat ku ato jetojnë”, thekson Kamberi.
Ai tani pret përgjigje nga Vuçiqi për kërkesat e shqiptarëve duke shtuar se me rëndësi është që të intensifikohet një dialog që Këshilli Kombëtar Shqiptar ka nisur me Ministrinë për të drejtat e njeriut.
“Ne i bëmë me dije presidentit se nuk është hera e parë që marrim pjesë në konsultime, në zgjedhjet parlamentare, dhe që të kemi mandat në Kuvend. Por në asnjë rast nuk kemi pasur kurrë ofertë te jemi pjesë përbërëse e qeverisë”, deklaroi Kamberi.
“Nëse në këtë shtet ka disponim të bëhet diçka për ato komuna tani është momenti të bëhet”, ka shtuar pos tjerash Kamberi.