Specialja ia bën edhe një favor Prokurorisë: E lejon të marrë pjesë kur mbrojtja i interviston dëshmitarët e vet

Edhe një kërkesë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, e ka marrë ‘aminin’ e Gjykatës. Manuali i intervistimit të dëshmitarëve të mbrojtjes është aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake. Bashkë me të, është pranuar kërkesa e Prokurorisë për të pasur qasje kur avokatët e krerëve të UÇK-së, i intervistojnë dëshmitarët e mbrojtjes.

Prokurorët e Hagës do të mund të marrin pjesë në secilën intervistë që avokatët e krerëve të UÇK-së, e bëjnë me dëshmitarët e tyre. Kështu të paktën thuhet në vendimin e fundit që e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake, në lidhje me manualin e intervistimit të dëshmitarëve. Në vendimin e siguruar nga ‘Nacionale’, thuhet se kjo duhet të bëhet me një kërkesë te trupi gjykues.

Korrupsioni / Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it kthehet në skenë: shfaq pretendime të reja për rastin Kleçka e korrupsionin
Prokuroria kishte kërkuar që të ketë qasje në secilën intervistë, Gjykata Speciale e ka pranuar të njëjtën. Vetëm se, ka vendosur si kusht që ZPS-ja t’i drejtohet trupit gjykues me kërkesë për të marrë pjesë në ato intervista.

Edhe pse në parashtrime përmendet “pala thirrëse” dhe “pala kundërshtare”, te çështja e intervistimit të dëshmitarëve kjo vlen më së shumti për mbrojtjen. Pasi, Prokuroria veç se ka përfunduar pjesën më të madhe të intervistave me dëshmitarët.

“Nëse një palë kundërshtare dëshiron ta intervistojë një dëshmitar të palës tjetër, duhet ta njoftojë palën thirrëse të paktën 10 ditë para intervistës së synuar. Pala thirrëse do të konstatojë në mirëbesim nëse dëshmitari pranon të intervistohet nga pala kundërshtare, dhe duhet ta infromojë dëshmitarin për mundësinë. Pala thirrëse do ta informojë palën kundërshtare nëse dëshmitari ka dhënë pëlqimin. Përveç kësaj, kur pala thirrëse beson se siguria e një dëshmitari mund të jetë në rrezik, mund të kërkojë nga Paneli Gjyqësor që të marrë pjesë në çdo takim ndërmjet palës tjetër dhe dëshmitarit, pavarësisht nga dëshira e dëshmitarit”, thuhet decitivisht në vendim.