Roli i ri i SHBA në Ballkan, Vuçiçi, Rama dhe një zgjidhje për Kosovën

Si ka ndryshuar roli i Amërikës në Ballkan në krahsim me vitet ‘90. Cila duhet të jetë qasja e perëndimit ndaj regjimit gjithnjë e më pak demokratik të Aleksandar Vuçiçit dhe nismës së tij ekonomike “Open Balkan”? Pse i duhet hequr Serbisë leva që ka në Kosovë duke e afruar këtë të fundit me Nato-n? Si janë të lidhura pazgjithshëmrisht projektet e Serbisë së madhe që çojnë në krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe anasjelltas? Për të gjitha këto i është përgjigjur në mënyrë shteruese radios Europa e Lirë, Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. “Tregu ekonomik rajonal është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet, por nuk mund të realizohet pa vlera evropiane, demokratike. Përkundrazi, mund të jetë i rrezikshëm”, konsideron ai duke përkufizuar edhe këndvështrimin personal se cila do të qe perspektiva e një Ballkani demokratik dhe në paqe. Lapsi.al po e risjell të përmbledhur në pikat e saj kryesore këtë intervistë shteruese….

Radio Evropa e Lirë: Në muajt e fundit, qytetarët e Serbisë kanë protestuar në shumë qytete për çështje mjedisore, veçanërisht për shkak të projektit të kompanisë, Rio Tinto për shfrytëzimin e litiumit. A është luhatur seriozisht pozicioni i Alleksandar Vuçiçit, për herë të parë që nga ardhja në pushtet nëntë vjet më parë apo ai ia doli të kontrollojë dëmin duke shtyrë ligjet e diskutueshme për shpronësimin e tokës dhe referendumin, të cilat, të paktën pjesërisht e zbutën zemërimin e publikut?

Edward Joseph: Mendoj se ky është një problem serioz për Alleksandar Vuçiçin dhe regjimin autokratik, në krye të së cilit është ai. Ai, gati për një dekadë e po e çon vendin prapa, nga një demokraci e dobët, por megjithatë një demokraci siç ishte në të gjitha qeveritë pas rënies së Sllobodan Millosheviqit e deri në vitin 2012, drejt një sistemi jo demokratik. Këto protesta për mjedisin janë sfidë për të, sepse shprehin në radhë të parë kërkesën për demokraci, që të dëgjohet zëri i qytetarëve në vendimmarrje.

Fakti që demonstratat janë masive, që nuk janë shprehje e politikës së një partie të caktuar, por e pakënaqësisë së gjerë të qytetarëve – ka të bëjë me vetë thelbin e demokracisë. Gjegjësisht, njerëzit janë të pakënaqur sepse askush nuk i ka pyetur për mendimin e tyre kur kanë marrë vendimin që kompania Rio Tinto të shfrytëzojë litiumin. Është një sfidë për një regjim që dëshiron të paraqitet si i fuqishëm dhe i suksesshëm duke u mburrur me rritjen ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të pritet më tutje kur pas disa muajsh do të mbahen zgjedhjet në Serbi?

Edward Joseph: Nuk parashikoj një ndryshim dramatik në strukturën e pushtetit. Unë nuk shoh në këtë moment që opozita të jetë mobilizuar në atë mënyrë që të paraqesë kërcënim për regjimin e Vuçiçit. Nuk shoh ndryshime në ambientin zgjedhor, i cili vazhdon të favorizojë pushtetin, siç është kontrolli i medias, pavarësisht ndërmjetësimit të Parlamentit Evropian.

Pra, kemi një mjedis zgjedhor mjaft të pabalancuar që favorizon regjimin. Megjithatë, trendet janë shumë të rëndësishme për një regjim autokratik. Kjo do të thotë se ai është i shqetësuar për rënien e mbështetjes, ndonëse edhe pas këtyre zgjedhjeve mbase do të mbajë kontrollin mbi Parlamentin dhe Vuçiç do të mbetet president, por disi i dobësuat.

Radio Evropa e Lirë: Opozita shpreson që ta rrezikojë pushtetin, para së gjithash, në Beograd. Në qoftë se do të fitonte në kryeqytet, kjo do të ishte goditje serioze për Vuçiçin.

Edward Joseph: Kjo do të ishte domethënëse, por jo domosdo me karakter transformues, në kuptimin e rrezikimit të pushtetit edhe në nivel kombëtar. Shembull i mirë për këtë janë zgjedhjet e fundit në Kosovë. Pra, në muajin shkurt, partia e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit arriti një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare dhe më pas ata pësuan një goditje të rëndë duke i humbur zgjedhjet lokale në shumë qytete, përfshirë edhe Prishtinën. Por, kjo nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës do të rrëzohet apo se do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.

Pra, humbja e Beogradit dhe vendeve tjera do të ishte goditje për pushtetin e tanishëm, por pa sjellë domosdoshmërisht ndërrim të pushtetit në nivel kombëtar. Duhet të kemi parasysh se ky është një regjim që ka gati një dekadë që ka shpërbërë demokracinë në mënyrë metodike dhe sistematike, duke institucionalizuar korrupsionin. Në këtë mënyrë, ai fiton të ardhura, me të cilat minon veprimtarinë e institucioneve të caktuara shtetërore, mediat, në një farë mënyre edhe Kishën Ortodokse Serbe. Ajo më nuk e ka ndikimin që ka pasur, dhe as Akademia Serbe e Shkencave.

Radio Evropa e Lirë: Të krijohet përshtypja se Vuçiç ka nxjerrë mësime nga rënia e Sllobodan Millosheviqit. Në anën tjetër, shumë njerëz kanë frikë se do të jetë e pamundur të fitohet kundër Vuçiçit në zgjedhje, sepse ai do të bëjë gjithçka për të penguar një lojë të barabartë politike.

Edward Joseph: Jo vetëm Alleksandar Vuçiç, por edhe të tjerët në këtë regjim janë veteranë nga epoka e Millosheviqit dhe me të vërtetë i kanë mësuar ato leksione. Mirëpo, ata tani po paraqiten më të sofistikuar, duke përdorur, për shembull, termin “Botë serbe”, në vend të “Serbia e Madhe”, me Alleksandar Vulin si promotor të asaj ideje, derisa Vuçiçi nuk deklarohet.

Gjithashtu edhe Millosheviqi e paraqiste veten si partner të Perëndimit. Por, ndryshimi qëndron në atë që Perëndimi asokohe i kishte vendosur sanksione Serbisë, ndërkaq që sot nuk ka sanksione. Vuçiçi e shfrytëzon këtë duke e paraqitur Serbinë se partneren kyçe perëndimore në rajon edhe pse nuk është e tillë. Në fakt, është një faktor destabilizues.

Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të promovosh “Botën serbe” sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh një partner perëndimor dhe në të njëjtën kohë të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin duke hyrë në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë. Nuk është e mundur të jesh kandidat i vërtetë për anëtarësim në BE, ndërkohë që partneri yt më i afërt është Hungaria me një regjim joliberal, që cenon vlerat dhe integritetin e bllokut evropian.

Duhet kujtuar se, ashtu si Millosheviqi, edhe Vuçiç përdor taktika frikësuese. Natyrisht që edhe liderët tjerë e bëjnë këtë. Nëse kthehemi pas në histori, Tito ishte shumë dinak dhe herë pas here mbante anën e protestuesve.