Ministria e Jashtme e Francës: Janë do kushte për viza që duhen përmbushur efektivisht nga Kosova

Dita e parë e Samitit të Bashkimit Evropian ishte zhgënjyese për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Lajm i mirë nuk erdhi as për Kosovën, të cilës nuk iu dha liberalizimi i vizave. Për këtë çështje ka folur Franca, i cili vend njihet si ndër skeptikët për liberalizmin e vizave për kosovarët. Ata deklaruan se ende ka kushte për t’u përmbushur për ta mirituar lëvizjen e lirë në BE.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, shteti francez ka ripërsëritur qëndrimin e saj, duke nënkuptuar se nuk e ka ndërmend të lëshojë pe për liberalizim të vizave.

Në përgjigjen dhënë për Nacionale, francezët këmbëngulin se gjithçka që ka të bëjë me liberalizimin e vizave është pjesë e udhërrëfyesit të miratuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2012.

“Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit të miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në planin afatgjatë”, ka thënë MPJ franceze.

Prandaj, gazeta ka insistuar të di se cilat kritere nuk i ka plotësuar Kosova e që parashihen në udhërrëfyesin e miratuar në vitin 2011.

E francezët kanë këmbëngulur në përgjigjen e tyre të parë, duke thënë se tashmë e kanë dhënë përgjigjet e tyre. Pra francezët nuk kanë përmendur se për çfarë kushtesh bëhet fjalë.

Por, ata kanë përmendur edhe takimin e sotëm ndërmjet liderëve të BE-së e të Ballkanit Perëndimor.

“Takimi aktual i liderëve Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të diskutuar mundësinë që vendet e rajonit të përmbushin perspektivën e tyre evropiane”, tha MPJ e Francës.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës është e bindur se i ka plotësuar të gjitha 95 kërkesat, e në të cilat ende insiston shteti francez, që udhëhiqet nga Manuel Macron, president.

Çfarë ndodhi në ditën e parë të Samitit të BE-së?

Dita e parë e Samitit të BE-së, ishte zhgënjyese për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Ndonëse Samiti do të vazhdojë punën edhe nesër, ditën e parë e tij nuk dha asnjë rezultat pozitiv për liberalizimin e vizave.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në Samitin e BE-së, tha se duhen hapa konkret.

“Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”, tha Osmani.

Shefja e shtetit e mbajti një fjalim në takimin e liderëve të vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke thënë se mos liberalizimi i vizave është padrejtësi për kosovarët.

“Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën… Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, theksoi në fjalën e saj, Osmani.

Si zakonisht, përgjigjja e padëshiruar nga ana e BE-së ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Por, reagimi pa dyshim më i ashpër ishte ai ish-kryeminsitrit Isa Mustafa. Në një postim në Facebook, Mustafa tha se Osmani ishte bllokuese e liberalizimit të vizave.

“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Brukse. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut”, shkroi Mustafa.