Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi e konsideron si kurth për Kosovën, propozimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që mbledhja e radhës e dy qeverive dhe dy parlamenteve të mbahet në Vlorë.
Në një postim në Facebook, Bytyçi thotë se mbajtja e kësaj mbledhjeje në Vlorë do të shkonte në disfavor të Kosovës dhe ajo do t`i jepte ndihmë të madhe Beogradit.
“Së pari Edi Rama i jep një ndihmë të madhe Beogradit. Kjo për arsye së presidenti dhe qeveria serbe do ta përdorin këtë iniciativë të propagandojnë nëpër botë se “Kosova nuk do të ekzistojë si shtet. Se ajo shpejt do të bashkohet me Shqipërinë! Prandaj dhe nuk keni pse e njihni një shtet jo anëtar të OKB-së, i cili vullnetarisht dëshiron të bashkohet me Shqipërinë”! Pasoja: Asnjë njohje, asnjë përparim në rrugën e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës!”, shkroi profesori mes tjerash, duke shtuar se edhe vet kryeministri Kurti dyshoi në këtë iniciativë.