Festivali “Sunny Hill” sivjet nuk do të mbahet në Prishtinë dhe për këtë organizatorët e bëjnë përgjegjës Qeverinë.
Alban Kastrati, përfaqësues i “Sunny Hill”, i cili kishte negociuar me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama për t’ia marrjen në shfrytëzim të 17 hektarëve tokë për 99 vjet për organizimin e kësaj ngjarjeje ka thënë se kryeministri Albin Kurti është paralajmëruar në lidhje me mundësinë e zhvendosjes së festivalit nga Prishtina në Tiranë.
“Po, e kemi paralajmëruar, na është thënë se do të na kthehet përgjigje, natyrisht MAPL nuk është përgjigj me vendim definitiv, nuk ka marr vendim, nevojitet guxim dhe veprim, nuk nevojitet diskutim, koha është kyqe”, është shprehur Kastrati në Edicionin Special të Klan Kosovës.
Kastrati tha se Kurti ka qenë më vonë i kyçur në lidhje me këtë diskutim.
“Kryeministri Kurti ka qenë më vonë i kyçur në diskutim, në momentin kur është kyçur në diskutim, ka kërkuar diskutime shtesë, mirëpo ditët janë esenciale për festivalin, ne nuk jemi kundër diskutimit me Kurtin, do të jemi të gatshëm të diskutojmë, por jo në kurriz të realizimit apo të dështimit të festivalit”, shtoi ai.
Ai theksoi se janë takuar me të gjitha nivelet e shtetit.
“Ne jemi takuar me të gjitha nivelet, nuk ka qenë një vendim i shpejt impulsiv, ka qenë një serie e takimeve, deri në momentin, një dëshpërim për zhagitjen e këtij procesi, deri kur festivali nuk mund të mbahet sepse kanë mbetur vetëm edhe pak ditë për përgatitje”, theksoi ai.
Tutje, Kastrati listoi edhe problemet që kanë hasur, e ku përmendi “politizimin e çështjes dhe vonesat e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.
“Politizimi i panevojshëm i çështjes, nga asamblistët e VV-së, AAK dhe AKR-së në seancën e kuvendit, sepse e kanë nxjerrë temën e diskutimit sikur ne kemi nevojë për tokën”, tha Kastrati.
“MAPL e ka politizuar çështjen prej momentit kur është kundërshtuar në kuvend, problemi është edhe më i hershëm, është hera e dytë që votohet në kuvend, është hera e dytë që MAPL nuk reagon, është hera e dytë që jemi të pasuksesshëm me mbyll procesin”, tha ai.
Express raportoi dje se festivali më i madh që u organizua në Kosovë, “Sunny Hill”, sivjet nuk do të mbahet në Prishtinë. Organizatorët janë tërhequr pas pakënaqësive lidhur me trajtimin e kësaj çështjeje nga Qeveria.