Deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokajn, e bëjnë milioner gjashtë pasuritë e paluajtshme që i ka në pronësi. Në deklarimin e fundit të pasurisë, Kokaj ka shënuar dy banesa, dy shtëpi, një dyqan dhe një bibliotekë, që kushtojnë mbi 1 milion euro.
Dy banesat e Kokajt kushtojnë 80 mijë, përkatësisht 85 mijë euro. Një shtëpi 160 metra katror e Kokajt vlerësohet 140 mijë euro, ndërsa një shtëpi me bibliotekë (480 metra katror), ka deklaruar se kushton 480 mijë euro.
Kokaj posedon edhe një dyqan prej 39 metrash katror të blerë në vitin 1992 dhe që vlerëson se kushton 380 mijë euro.
Nga paga e djalit, Kokaj ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë prej 2 mijë e 300 eurosh. Në fund, ka deklaruar se këtë veturë e shfrytëzon me autorizim të djalit të tij.
Kokaj i mban në bankë 8 mijë e 915 euro të gatshme, pa llogaritur 22 mijë e 618 eurot e regjistruara në bankë në emër të gruas së tij.
Pasurinë e paluajtshme, Kokaj ka deklaruar se e ka bërë prej punës së tij të mëhershme, ndërsa aktualisht deklaron të hyra vetëm nga pozita e tij si deputet. Nga Kuvendi, ai ka deklaruar se merr 25 mijë e 350 euro në vit.
Në fund, Kokaj ka deklaruar se para një viti e ka shkëputur “bashkësinë familjare me djalin”.