Gatishmëria e armatës shqiptare së viteve ’80: Për 72 orë 750 mijë ushtarë “nën armë”

Gatishmëria e armatës shqiptare së viteve ’80: Për 72 orë 750 mijë ushtarë “nën armë”.Ky material “dossier” është një përmbledhje e të dhënave që më janë transmetuar në intervistat e bëra me disa nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare të para vitit 1990.
Nëse lufta do të fillonte krejt papritur, pa paralajmërime dhe pa përqendrim të trupave armike në vijën e kufirit, ushtria shqiptare ishte përgatitur që për 2-3 minuta nga shkelja e territorit shqiptar, të hapte zjarrin e parë me mitralozat e rëndë të cilësuara si “armë roje”, apo me anë të batalioneve që gjithashtu quheshin “art-mitraljer”. Kjo sa për fillim, pasi strukturat ushtarake e viteve ‘80 lejonte që për 72 orët e para, të mund të viheshin nën armë të paktën 750 mijë njerëz me uniformë jeshile. Por si ishte e organizuar ushtria shqiptare në vitet ’75-’85, gjë që daton dhe me kulmin e fuqisë së saj? Ish drejtuesit e lartë të saj gjatë intervistave të drejtpërdrejta kanë dhënë këto shifra:

Aviacioni, 240 mjete fluturuese

“I gjithë aviacion u inkuadrua në 3 regjimente gjuajtës-bombardues të cilët u inkuadruan në tre aerodrome: Gjadri, Rinasi e Kuçova. Reparti i parë u krijua në Tiranë në vitin ’51. Regjimenti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë. Ai do të pasohej me krijimin e Repartit të Transportit Ushtarak në Tiranë, Regjimentin e Rinasit, Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve, Regjimentin e Gjadrit. Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak:

95 avionë MIG-19-S,

12 avionë MIG-21,

12 avionë MIG-17,

3 avionë IL-14 për shërbime qeveritare

1 avion bombardues IL-28.

36 helikopterë MI-4.

12 avionë AN-2 transporti

Ushtria, 1200 mjete të blinduara

“Ushtria shqiptare në fund të vitit ‘80 dispononte thuajse se 1200 tanke e mjete të blinduara në arsenalin e saj. Kompania e parë e tankeve u krijua në 1 prill 1946 me prodhimin italian “Spali” trofe nga Lufta II Botërore. Në prill 1948 u krijua Regjimenti i parë i tankeve “Vojo Kushi”. Në këtë regjiment u përfshinë tipet T-34 dhe AVL-76 m/m, të ardhura nga BS. Brigada e Parë e Tankeve u krijua në 24 prill 1963 në përbërje të të cilës ishin tanket tip T-59 të prodhimit kinez. Në vitet ’70 ushtria shqiptare kishte 10 brigada tankiste me nga 100 tanke të tipeve T-59 (54), T-62, si dhe disa batalione autonome me drejtime të caktuara dhe me tanke tip T-34, AVL-76 dhe 100 m/m. Përveç tankeve, ushtria shqiptare zotëronte dhe 3-4 batalione të mekanizuara me transportues të blinduar.

Organizimi me 9 korpuse

“Ushtria jonë rreth viteve ’80 erdhi pas një riorganizimi të thellë dhe të gjerë në strukturë dhe në përmbajtje, duke filluar nga njësitë e repartet e vogla ushtarake deri në Shtabin e Përgjithshëm. Në ato vite ushtria kishte në strukturë 7 Korpuse dhe 2 Grupime Operative në rang Korpusi, të cilat përmbanin njësi rezervë të Komandës Përgjithshme të pajisura me armë dhe teknikën e nevojshme. Gjithashtu kishte Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore, Komandën e Aviacionit, Komandën e Flotës Luftarake Detare, njësi e reparte autonome, si dhe 4 Baza Furnizimi, Forca Vullnetare dhe Rininë Shkollore të armatosur.

Flota Luftarake Detare me 100 anije

“Në vitin 1980 flota detare shqiptare kishte anije rreth 100 luftarake të tipave dhe destinacioneve të ndryshme, luftarake e ndihmuese, të ardhura nga BS e Kina”

Katër silurues 80 copë rus + kinez
Dragamina rade 6 copë rus
Dragamina bazë 2 copë rus
Gjuajtës detarë 4 copë rus
Nëndetëse 4 copë rus
Motovedetë tip Shangai II 6 copë kineze
Normat e gadishmërisë, njësoj me Izraelin

“Nivelin e normave të gatishmërisë e kishim më të lartin në botë. Me këto norma na afrohej vetëm Izraeli. Në 6 orë deri në 6 e 30 minuta kompletohet një brigadë, efektivi i të cilës varionte nga 5 mijë deri në 7 mijë trupa. Ndërsa një korpus vihej në gatishmëri të plotë brenda 9-10 orëve. Për rastin konkret, kur flitej që Shqipëria kërcënohej nga trupat e Traktatit të Varshavës, merrej parasysh që pika më e afërt, nga ku mund të ngriheshin avionët desantues, ishte aeroporti i Sofies në Bullgari, me një largësi prej 650 kilometrash. Megjithatë, të gjitha përgatitjet bëheshin me idenë që kundërzbulimi shqiptar nuk arrinte të merrte asnjë informacion dhe, ashtu si në Çekosllovaki, agresioni të bëhej i menjëhershëm dhe në befasi. Të gjithë shtabet e brigadave dhe korpuseve kishin të njëjtën shkallë gatishmërie”

Shkelja e kufirit, për 3 minuta zjarr i përqendruar

Forcat e Armatosura kishin një efektiv shumë të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist. Efektivi përbëhej nga rreth 16.500 oficerë, rreth 9.000 nën/oficerë, rreth 60.000 ushtarë si dhe nga rreth 8.000 civilë. Ndërkohë që rezervistë kishte rreth 450.000 vetë, dhe 230.000 Forca Vullnetare. Këto forca përfshiheshin në 22 Divizione dhe tre Forca që ishin: Mbrojtja Kundër Ajrore, Flota Luftarako-Detare dhe Aviacioni. Ishin 127 Brigada Këmbësorie, Brigada Artilerie dhe Brigada Sulmuese ; rreth 1050 tanke të inkuadruara në 9 brigada tankesh e në dy batalione autonome, rreth 4.000 gryka zjarri artilerie tokësore; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur artilerinë kundërajrore të Brigadave, etj. Në kufi, mitralozët e rëndë (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitraliere në vijën e kufirit kishin bërë gati për luftim. Po kështu për 15– 20 minuta, artileria tokësore e gatshme kishte hapur zjarr.

Në vitet ’70-’80, Aviacioni Luftarak kishte në efiçencë të plotë mbi 70 avionë MIG-19 dhe 12 avionë MIG-21, një skuadrilje luftarake me 12 avionë MIG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15, 4 avionë transporti IL-14 për transport qeveritar, apo për studime ushtarake dhe gjeografike.

Në Tiranë, në Aerodromin e Laprakës ishin të dislokuar edhe 12 avionë transporti të lehtë AN-2 për transport trupash, apo në ndihmë të ekonomisë, ndërsa në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MIG-15 kishte edhe dy skuadrilje me avionë me helikë JAK-18, që shërbenin për përgatitjen e pilotëve në vitin e parë të kualifikimit si pilot.

Në Farkë ishin rreth 36 helikopterë MI-4

Në Rinas kishte gjithashtu edhe 1 (një) avion bombardues të lehtë tip IL-28.

Organizimi

Në fillimet e tij e deri në vitin 1974, aviacioni ka qenë pjesë e Komandës së Mbrojtjes Kundër Ajrore të Shtetit Shqiptar, ku Komandanti i Aviacionit ishte njëherazi Zv/komandant i MKA-së. Komandanti i parë i aviacionit ka qenë Kolonel Edip Ohri, i cili e ka komanduar atë deri në vitin 1974. Aviacioni ka qenë komandë më vete, deri në vitin 1995, kur aviacioni u bë pjesë e Forcave të Mbrojtjes Ajrore. Nga viti 1975 e deri në vitin 2005, komandantë të aviacionit kanë qenë Bardhyl Taçi, kolonel Klement Aliko, gjeneral Perlat Binaj, gjeneral Astrit Jaupi.

Fundi i avionëve supersonik

Edip Ohri, komandanti më jetëgjatë i aviacionit, prej më shumë se 20 vitesh, ka firmosur për futjen e të gjithë avionëve në Shqipëri, nga viti 1951 deri në vitin 1974. Pas kësaj kohe Shqipëria nuk ka marrë më avionë.

Gjeneralbrigade Astrit Jaupi ishte komandanti me firmën e të cilit avionët MIG ndaluan së fluturuari, në nëntor 2005, pas një aksidentit tragjik në aeroportin e Rinasit.

Mbas 30 viteve shërbimi, MIG-21 u cilësua si teknologji e prapambetur. Por nuk ishte vetëm kjo. Pas ngjarjes së ndodhur në shtatorin e vitit 2004, ku në Rinas u rrëzua me avionin e tij piloti dëshmor, Jani Tarifa, u vendos kategorikisht që të ndaloheshin fluturimet.

Në nëntor 2005 kur u mor ky vendim u lanë në konservim si rezervë për fluturim: 2 Mig-21, 8 Mig-19, 4 Utimig-17, 6 Mig-17 dhe 4 AN-2.

Aviacioni me 43 dëshmorë

43 ushtarakë të armës së aviacionit kanë rënë në krye të detyrës dhe janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. Me vendim të Qeverisë Shqiptare, që nga data 24 prill e vitit 2003, ata prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe në rrethe.

Statistikat

Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak. Një shifër të tillë e ka konfirmuar gjeneralbrigade Astrit Jaupi ndërsa ishte në krye të aviacionit. Edip Ohri, gjithashtu gjatë një interviste ka përmendur shifrën e 200 avionëve luftarak. Padyshim Ohri nuk ka futur këtu helikopterët dhe avionët mësimorë që përdorte Shkolla e Aviacionit, të cilat e rrisnin ndjeshëm numrin e mjeteve fluturuese që Shqipëria kishte në dispozicion.