Kusari-Lila urdhëroi VV-në të votojnë kundër, Kurti në fushatë premton heqjen e kufizimit 10 vjeçar për veturat e importuara nga jashtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka premtuar qytetarëve se nëse fiton edhe një mandat, do ta heqë kufizimin për importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Në tetor të vitit 2024, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kishte votuar kundër propozimit që të ndryshohej ligji aktual.

Gjatë fushatës në Gjakovë, Kurti të premten mes tjerash u tha qytetarëve atje se do ta bëhet një ligj i ri, i cili mes tjerash largon këtë kufizim.

“Në muajt e parë të qeverisjes sonë, do të heqim taksën doganore prej 10 për qind për veturat nga Bashkimi Evropian, kurse me draft ligjin e ri për automjete që është gati dhe po pret fillimisht miratimin në Qeveri, e pastaj edhe në Kuvend, do ta heqim kufizimin 10 vjeçar për veturat që importohen nga jashtë” – tha ai, transmeton Nacionale.

VV në Kuvend: KUNDËR

Në tetor të vitit 2024, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku kishte kërkuar që të ndryshohet ligji për automjete, i cili ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet.

Në disa pamje të publikuara, shihej se një gjë e tillë iu kërkohej deputetëve nga shefja e tyre, Mimoza Kusari-Lila.

Në anën tjetër, kryetarja e komisionit që është marrë me këtë çështje, Fitore Pacolli, tash candidate për deputetë, u bënte thirrje deputetëve të votojnë kundër.

“Komisioni ka shqyrtuar propozimet të cilat kanë ardhë nga deputeti, komisioni mendon se propozimet janë joprofesionale prandaj kërkojmë nga deputetët që mos t’i votojnë. Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës po rregullon ligjin e ri…ta presim i cili do të ketë ndryshime profesionale për ligjin për automjetet” – tha ajo.