Dh*na në familjen mbretërore, Gjykata DENON Princ Lekën, shpall të pafajshme Elia Zaharinë! Ja VENDIMI

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për Princ Leka Zogun, Elia Zaharinë dhe Gjergj Zaharinë, të tre të akuzuar për dhunë në familje.

Gjyqtarja Migena Laska në seancën e sotme dënoi me 1 vit burg Princ Lekën, me 10 muaj Gjergj Zaharinë si dhe shpalli të pafajshme Elia Zaharinë.

Princ Leka Zogu u dënua me 1 vit burg lidhur me dhunën në pallatin mbretëror, ngjarje e ndodhur në mars 2024 dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 8 muaj dhe u vendos pezullim në 16 muaj shërbim prove, për akuzën “Dhuna në familje”.

Për Gjergj Zaharinë 10 muaj burg, babain e Elias ku me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 6 muaj e 20 ditë. Gjykata vendosi ta pezullojë dënimin në 1 vit e 40 ditë me kusht.

E njëjta gjyqtare shpalli pafajësi për Elia Zaharinë, pasi fakti nuk përbën vepër penale. Të tre personat të cilët u morën si të pandehur për “dhunë në familje”, u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Ngjarja e cila u filmua nga Princ Leka dhe u bë virale në rrjet ndodhi brenda Pallatit Mbretëror në rrugën “Murat Toptani” pasditen e 5 marsit 2024.

Ndërkohë, më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur.

Leka Zogu ka pranuar nga ana e tij, që vajza 3-vjeçare të lihet nën kujdesin e nënës, Elia për t’u përgjigjur për kujdesin dhe edukimin e saj.

Në vendimin e Gjykatës thuhej se çifti, prindër të një vajze të vogël, kanë vendosur të ndahen pasi kanë pasur konflikte të vazhdueshme, mungesë komunikimi dhe se kishin ndërprerë bashkëjetesën.

Dhe pikërisht më 5 mars, konfliktet e çiftit u bënë publike. Në videon e publikuar Leka, babai i Elias dhe vetë ajo, konfliktoheshin fizikisht mes tyre. Ndërkohë pas këtyre pamjeve, ata përfunduan në Gjykatë, me urdhër mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit.

Më herët Princ Leka hodhi dyshime se kjo video është nxjerrë nga struktura e Policisë, apo dhe vet nga Prokuroria. Mirëpo, këto pretendime të Princit janë hedhur poshtë pasi organi i akuzës doli në konkluzion se kjo video ka dalë nga vetë Princi, i cili ishte krijuesi dhe poseduesi i këtij materiali filmik.