Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si sjellje “të keqe” vendimin e kryeministrit Albin Kurti që të mos i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale. Kjo e fundit gjatë dhjetorit e ftoi Kurtin në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.
Haradinaj kujtoi një fjalim që Kurti kishte dhënë vite më parë, ku i drejtohej ish-presidentit Hashim Thaçi me fjalët “shko Hashim”, duke e lidhur atë fjalim të Kurtit me situatën aktuale.
“Kurti iu kujtohet ka mbajtur një fjalim shumë emocional, dogmatik shko Hashim, fjalimi i famshëm dhe në atë fjalim Kurti i ka thënë shko Hashim për shkak të këtij argumenti, pra ai i thoshte kryeministrit të atëhershëm të Kosovës shko në një gjykatë të huaj për ta sqaruar luftën apo edhe pasluftën, dhe i thoshte ke shko me sqaru luftën tonë çlirimtare, tani unë i them Kurtit; shko Albin në Prishtinë, sqaro hajninë, sqaro vjedhjen e rezervave shtetërore, apo të energjisë, apo Nagipin, shko”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.