Lushtaku: Ftesa e Speciales për Kurtin mund të jetë inskenuar nga pushteti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, beson se mund të jetë lojë politike dhe inskenim pushteti ftesa për dëshmi nga Prokuroria Speciale e kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Lushtakut pushteti mund ta ketë bërë këtë në mënyrë që siç ka thënë ai ‘të viktimizohen dhe të mbulojnë dështimet që i kanë bërë gjatë katër viteve’.

Unë besoj që me të vërtetë është një lojë politike në këtë pjesë që ka mundësi që vet e ka inskenuar edhe pushteti vetëm e vetëm që të viktimizohen dhe të mbulojnë dështimet që i ka bërë gjatë katër viteve në përgjithësi dhe pastaj del e ankohet se shikoni çfarë po më bën mua drejtësia dhe opozita dhe kështu me rradhë”, ka thënë ai.

Më tej ai ka shtuar se ky është vetëm një dyshim i tij për të cilin nuk ka as fakte dhe as indikator.

“Ky është më shumë një dyshim i imi dhe nuk kam as fakte dhe as indikator, por duke e njohur gjithmonë figurën e Albin Kurtit si politikan dhe si aktivist në përgjithësi vetëm me formën e viktimizimit ka ecur përpara dhe ka dashur të marrë edhe votën e qytetarit”, ka shtuar Lushtaku.

Kryeministri Albin Kurti është ftuar për dëshmi nga Prokuroria Speciale. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.