Limaj para dy muajve për Muratin: A i jepet more Ministria e Financave një kontabilisti që nuk i di numrat

Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një emision vendor, qysh para dy muajve kishte dhënë mendimin e tij për ministrin Hekuran Murati.

Limaj kishte thënë se, Murati nuk ka lidhje as me shtet, as me ministri e as me financa, përcjell Periskopi.

Sipas Limajt, drejtimi i Ministrisë së Financave nuk i jepet “një referenti, kontabilisti, që si dinë numrat”, për të vazhduar më pas se ka filloj të dyshoj tek kryeministri Kurti në këto ndarje të pozitave.

“O pash Zoten ma, se ai lidhje s’ka as me shtet, as me Ministri, as me financa. Shpresoj që kjo qeveri e sheh veten, Albinin ia kam nisë me dyshu. A i jepet more me ta drejtu ni referent, ai ni referent është, njëfarë kontabilisti që si dinë numrat. Qysh more me ta drejtu ministrin e Financave, ai lidhje s’ka me të. Ai se din çfarë impakti ka social shoqëria, ai s’ka ndjeshmëri për qytetarin. Ai i ka marrë 100 milionë euro po i ndajka 100 euro…”, thoshte Limaj.

Temë e ditëve të fundit nëpër media ka qenë ministri i Financave, Hekuran Murati, ku bëhet fjalë për postimet e tij ofenduese në drejtim të veteranëve të UÇK-së, ku në vitin 2016, Murati thoshte se “veteranët po i kushtojnë shtetit më shumë se mercenarët”.