Greqia bllokoi gazetarët shqiptarë në kufi, Fevziu: Sjellje primitive e një shteti në të cilin inati dhe mëria dominon

Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar pas lajmit se pala greke në doganën e Kapshticës, ka mbajtur “peng” në kufi ekipet e xhirimit të A2 CNN dhe Tv Klan.

Përmes një video të publikuar në rrjete sociale, Fevziu thotë se ndalimi i gazetarëve në kufi dhe privimin për të ushtruar detyrën është një sjellje primitive e autoriteteve në Athinë.

Sipas tij është e patolerueshme që një vend i BE-së shkel të drejtën për informim dhe të drejtën elementare të lëvizjes së çdo qytetari shqiptar.

“Është e papranueshme, e patolerueshme, skandaloze dhe absolutisht primitive që një shtet anëtar i Bashkimit Europian të bllokojë në kufi gazetarët që janë duke kryer detyrën e tyre. Është e patolerueshme që një vend i BE-së shkel të drejtën për informim, shkel të drejtën e njeriut, shkel të drejtën elementare të lëvizjes së çdo qytetari shqiptar.

Ngjarje të tilla mund të kesh, vonesa në kufi në vende diktatoriale, por që një vend i BE t’ju kërkojë gazetarëve shkresë nga Ministria e Jashtme apo letër shoqërimi, është të shkelësh çedo parim të lirisë së mediave dhe t’i kërkosh gazetarëve që të vihen nën tutelën politike. Ndaj edhe njëherë insistoj, ajo që po ndodh në kufirin grek, është as më shumë e as më pak një gjest primitiv i një shteti në të cilin inati dhe mëria dominon mbi të drejtat dhe mbi parimet europiane”, shprehet Fevziu.