Prej vitesh në ekran, por duket sikur koha për të ka ndalur në vend duke mos ‘i rrëmbyer’ asnjë grimcë të bukurisë.
Hygerta Sako, moderatorja e njohur e sportit është një prej personazheve më të dashura të ekranit, me një karrierë prej 30 vitesh në televizion ku 10 të fundit i është dedikuar tërësisht sportit.
Ky vit rezultoi shumë i suksesshëm me të pasi u vlerësua me një çmim ndërkombëtar si “Moderatorja më e mirë e sportit në Europë”, për të vijuar me përvojën e bukur në “Euro 2024” dhe trokitjen e ditëlindjes së 47-të.
Numri duket thuajse i pabesueshëm për rininë që rrezaton, ndaj të gjithë jemi kureshtarë ta mësojmë sekretin e saj që nuk heziton aspak ta ndajë në “Rudina” në Tv Klan.
Hygerta Sako: Unë jam shumë e kujdesshme në kujdesin për lëkurën, në kremrat që përdor, kam marrë disa pajisje të vogla që mund t’i përdorësh edhe në ambientin e shtëpisë, atë që mund ta bëh në një qendër estetike me këto rrezet infra të kuqe, blu, jeshile e të gjitha me radhë, ti mund t’i bësh në ambientin e shtëpisë.
Rudina Magjistari: Pra le të themi metoda që nuk të transformojnë, por që thjesht të freskojnë, ushqejnë, hidratojnë.
Hygerta Sako: Absolutisht, thjesht të mirëmbajnë.
Rudina Magjistari: “Botox”, je pro apo kundër përdorimit të tyre?
Hygerta Sako: Janë gjëra që nuk i dihet nëse ti i përdor se çfarë efekti mund të të japin nesër. Nesër mund të japin një efekt të menjëhershëm dhe ti i ke bërë dëm vetes. Ashtu siç mendoj edhe për dhëmbët, po të më shohësh, unë kam akoma dhëmbët e mi origjinalë, nuk i kam prekur asnjëherë, pikërisht për këtë, madje nuk i kam zbardhur ndonjëherë pikërisht për këtë arsye sepse kam frikë që nesër, pasnesër, nuk e di se çfarë efekti mund të më japin kështu që mund t’i prish punë vetes dhe mund ta shëmtoj veten time më shumë.
Unë mundohem të mirëmbaj këtë lëkurë që kam. Fatmirësisht i ngjaj sime mëje e cila sot është 80 vjeç dhe ka një lëkurë për t’u pasur zili. Nuk ka pikën e rrudhës, ka vetëm forcën e rëndesës që asaj nuk kemi çfarë t’i bëjmë, është e pashmangshme, por unë kam fatmirësisht lëkurën e saj. Jo vetëm unë, por edhe motra e vëllai im, të tre nuk e tregojmë moshën që kemi realisht. Pjesa tjetër pastaj, unë përpiqem që mos të abuzoj në kuptimin që të bëj një jetë të shëndetshme, të ha shëndetshëm, të bëj gjumin aq orë sa më duhet, mos të dal shumë netëve jashtë shtëpisë…