Nënkryetari i PDK-së dhe njëherësh kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se Qeveria e Kosovës po vepron në mënyrë të njëanshme, andaj edhe ndërkombëtarët po ia tërheqin vërejtjen.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta ndërrojë qasjen dhe të mos veprojë në mënyrë të njëanshme.
“Duhet me ndërrua kursin e qasjen. Ndërkombëtarët po ia tërheqin veshin Kurtit shumë herë dhe shumë shpesh me një gjuhë të kuptueshme. Tërheqje e vëmendjes, vërejtje në mënyrë të civilizuar, mirëpo me kërkesa që mos me marrë veprime të njëanshme mos me bë ‘bllofe’ dhe mos me e sjellë në pikëpyetje reputacionin e shtetit të Kosovës mos me na vendos para një situate qysh jemi tash nën sanksione dhe mos me vështirosu të ardhmen e Kosovës”, tha ai.
Ai tha se proceset integruese evropiane nuk bëhen në mënyrë të njëanshme e me kokëfortësi, por me bashkëpunim e komunikim me ndërkombëtarët.