Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për raportet me kryeministrin Albin Kurtin.
Ajo tha se bashkëpunojnë si institucione.
Ndërsa theksoi se me Kurtin kanë qasje të ndryshme por synim të njëjtë për një Kosovë sovrane dhe të integruar.
“Jemi taku shpeshherë, sidomos dy vitet e fundit kemi pasur vazhdimisht diskutime. Sot folëm mes vete (06.09.2024), e kishim 25 -vjetorin e (themelimit të) Policisë. Ne bashkëpunojmë si institucione, e kemi detyrë kushtetuese me bashkëpunu. Kemi qasje të ndryshme se si me u arrit synimi të njëjtë, të gjithë jemi të gabueshëm, nuk ka njëri të pagabueshëm, nuk mund të them tani që cila qasje do të ketë më shumë sukses për Kosovën, por synimin e kemi të njëjtë, një Kosovë sovrane të integruar në strukturat euro-atlantike”- ka thënë Osmani në KallxoPernime.
Megjithatë gjatë intervistës, Osmani ia ka hedhur “fajin” Qeverisë për mosdiskutim e moskoordinim për çështje të caktuara.
Ajo tha se nuk e kanë diskutuar me Kurtin ofertën e Gjermanisë që të gjendet një mundësi që Kosova të largojë masat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në CEFTA.
“Për ketë temë jo sepse mënyra siç shkon kjo punë ata duhet më pyet presidenten për çështje të politikës të jashtme dhe ketë çështje nuk e kanë shtru ndonjëherë para meje”- tha Osmani.
Krisja në raportin Kurti – Osmani është diskutuar jo rrallëherë vitin e fundit. Një gjë e tillë u diskutua pas mungesës së Kurtit në takimin e thirrur më 31.07.2024 nga presidentja Osmani për t’u konsultuar lidhur me datën e zgjedhjeve parlamentare.
Osmani tha se nuk e di arsyen e mosparaqitjes së tij.