Ekipi mbrojtës i Thaçit i shkruan Kurti, Konjufcës dhe Haxhiut: Kërkojnë para shtesë për ta mbrojtur Hashim Thaçin

Një kërkesë zyrtare për rritjen e fondeve për nevojat e mbrojtjes juridike të krerëve të UÇK-së, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu, iu ka shkuar më 12 gusht 2024 nga Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.

Bordi i Fondacionit përmes kësaj letre i ka shkruar krerëve të institucioneve se “vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike që është bërë përmes Udhëzimit administrativ MD-nr.01/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit administrativ MD – nr.08/2022 për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore nga Dhomat e Specializuara, ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij”, është në kërkesën e Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.

Në mungesë të mjeteve financiare, Fondacioni ka thënë se i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë, por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme, respektivisht nga fundi i këtij muaji.

“Në këtë mënyrë, kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizimin e ekipit mbrojtës të z. Thaçi, por do ta pezullonte apo shtynte vetë procesin gjyqësor edhe për së paku gjashtë muaj shtesë, deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër, të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për tu njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjeçare që është duke u zhvilluar. Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të z. Thaçi, e vlerësojmë urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë, në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij. Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi me këtë proces, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”, është thënë në kërkesën e Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.