Nga zgjedhjet e 7 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës nuk doli në pritshmëritë e saj, duke mos arritur rezultatin që synonte si forca kryesore opozitare. Në analizën e bërë nga Kryesia e partisë, rezultati është parë si një sinjal për reflektim dhe nevojë për riorganizim të brendshëm, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje, e cila sipas vlerësimeve të PDK-së ka ndikuar drejtpërdrejt në performancën zgjedhore.
Në mbledhjen e radhës të Kryesisë së PDK-së u diskutuan rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të partisë. Sipas vlerësimit të drejtuesve të saj, rreth 200 mijë votues më pak krahasuar me ciklet e kaluara zgjedhore përbëjnë një tregues shqetësues të lodhjes së qytetarëve nga krizat politike, polarizimi i vazhdueshëm dhe zhgënjimi i akumuluar ndër vite.
Kryesia diskutoi gjithashtu ndikimin e rrethanave politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor. Sipas saj, masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve kanë krijuar te një pjesë e elektoratit opozitar bindjen se rezultati mund të ishte i paracaktuar, gjë që ka ndikuar në uljen e daljes në votime.
Megjithatë, PDK vlerëson se mbetet subjekti më i madh opozitar në vend dhe se ruajtja e përfaqësimit politik krijon bazë për rikthim dhe forcim në të ardhmen. Kryetari i partisë, Bedri Hamza, tha se PDK është përballur me procese të njëpasnjëshme zgjedhore, duke mos pasur kohën e nevojshme për konsolidim dhe reformim të brendshëm.
Pikërisht në funksion të këtij reflektimi, në mbledhje u diskutua edhe mundësia e nisjes së procesit të zgjedhjeve të brendshme, që pritet të jenë të hapura, demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Sipas Kryesisë, qëllimi është krijimi i hapësirës për ide të reja, përfshirje më të madhe të gjeneratës së re dhe forcim të strukturave të partisë. Madje, u shqyrtua mundësia që ky proces të nisë që në shtator të vitit 2026, duke shënuar një fazë të re organizative pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
E të gjendur në këtë situatë a mund të ndikojë procesi i zgjedhjeve të brendshme në reformimin dhe forcimin e PDK-së para sfidave të ardhshme politike?
Kasolli: Mbetet të shihet se do të bëhet fjalë vetëm për riciklim politik, apo për hapje të njëmendtë të partisë
Për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje politike, Afrim Kasolli.
Ai tha se drejtuesit e partisë po përpiqen ta paraqesin si sukses rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht rënies së mbështetjes, dhe se zgjedhjet e brendshme po shërbejnë më shumë për të fshehur dështimet dhe për të qetësuar pakënaqësitë e brendshme pas humbjes së votave.
“Fillimisht drejtuesit e këtij subjekti politik në opinion janë duke tentuar ta justifikojnë veten se kanë pasur sukses në zgjedhjet e 7 qershorit, për shkak të rritjes së numrit të deputetëve, përkundër humbjes së mbështetjes popullore. Mirëpo një qasje e tillë u ndihmon strukturave drejtuese vetëm ta mirëmbajnë veten, por jo t’i korrigjojnë defektet strukturore.
Shkuarja në zgjedhje të brendshme në këtë fazë mbase ka të bëjë edhe me pranimin e heshtur të lidershipit të kësaj partie mbi dështimin real në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme parlamentare, por që ngurojnë ta pranojnë në publik. Me këtë rast, duke u paralajmëruar ky proces për këtë vit, ky subjekt politik po ashtu po tenton që t’i minimizojë pakënaqësitë e brendshme që mund të shpërthejnë nga kërkimi i fajtorit për humbjen e gati 50 mijë votave popullore”, foli ai.
Tutje, ai sugjeron se mbetet të shihet nëse ndryshimet brenda PDK-së janë reale apo vetëm riciklim i kontrolluar i pushtetit, pasi ndërrimi i disa liderëve nuk ka sjellë ndryshime të vërteta dhe, nëse vazhdon kështu, zgjedhjet e brendshme mund ta thellojnë rënien e partisë në vend që ta ringrenë atë.
“Mbetet të shihet se do të bëhet fjalë vetëm për riciklim politik, apo për hapje të njëmendtë të partisë. Për transferim të menaxhuar e të kontrolluar të pushtetit, apo për betejë të brendshme politike. Mos të harrojmë se që nga mungesa e Kadri Veselit, PDK i ka ndërruar deri më tani 3 liderë politikë. Fillimisht ishte caktuar si UD i kryetarit Enver Hoxhaj.
Më pastaj si kryetar Memli Krasniqi dhe në fund Bedri Hamza. Por kjo parti ka stagnuar. Pra ndërrimi i liderëve sa për sy e faqe, por duke e ruajtur të njëjtën frymë dhe koniunkturë partiake ka treguar se nuk prodhon efekte politike. Prandaj nëse PDK e vazhdon këtë avaz edhe në këtë garë të brendshme zgjedhore, atëherë këto zgjedhje vetëm sa do ta përshpejtojnë rënien dhe jo ringritjen e saj.”, përfundoi Kasolli për “Bota sot”.
Duhanaj: PDK mori rreth 30 mijë vota më pak sesa në zgjedhjet e mëparshme
Po ashtu, në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe analisti politik, Leon Duhanaj.
Ai tha se Vetëvendosja pësoi rënie dhe PDK-ja kishte një mundësi të mirë për të fituar mbështetje shtesë, ajo nuk arriti ta shfrytëzojë këtë situatë, pasi mori më pak vota se në zgjedhjet e kaluara, gjë që sipas tij duhet të shërbejë si alarm dhe arsye për reflektim serioz brenda partisë.
“Zgjedhjet, edhe pse ishin të qeta, të civilizuara dhe pa shkelje serioze në procesin e votimit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për periudhën parazgjedhore.
PDK nuk arriti ta shfrytëzojë në masën e duhur rënien e Vetëvendosjes për ta kapitalizuar atë në rritje të mbështetjes së saj. Përkundrazi, ajo mori rreth 30 mijë vota më pak sesa në zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Edhe pse pati rritje në përqindje, numri më i vogël i votave duhet të jetë temë serioze reflektimi për këtë parti.
Sidomos kur kihet parasysh se në zgjedhjet lokale, si numri ashtu edhe përqindja e votave për PDK-në tradicionalisht kanë qenë dukshëm më të larta sesa në zgjedhjet qendrore”, u shpreh ai.
Duke vazhduar tutje analisti shpjegon që PDK-ja duhet të forcojë strukturat lokale për të rritur mobilizimin e votuesve, ndërsa zgjedhjet e brendshme dhe rikthimi i mundshëm i ish-krerëve nga Haga mund t’i japin partisë një energji të re politike.
“Në këtë kontekst, shtrohet pyetja: pse pjesëmarrja dhe mobilizimi i votuesve në zgjedhjet lokale është dukshëm më i madh sesa në ato qendrore?
Arsyet janë të shumta, por njëra ndër më të rëndësishmet mbetet mungesa e një aktivizimi më të fuqishëm dhe më të vazhdueshëm të strukturave lokale.
Pikërisht për këtë, PDK-ja tashmë ka marrë vendim për nisjen e procesit të brendshëm zgjedhor. Besoj se një proces transparent, demokratik dhe gjithëpërfshirës mund të prodhojë rezultate pozitive jo vetëm për PDK-në, por edhe për skenën politike në vend.
Kësaj i shtohet edhe mundësia që gjatë verës të kemi rikthimin e ish-krerëve të UÇK-së, respektivisht të PDK-së, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Një zhvillim i tillë mund të sjellë një dinamikë dhe frymë të re politike”, foli Duhanaj për “Bota sot”.