Vuçiq: Perëndimi po përgatit një grusht shteti në Serbi

Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nga Rusia ka marrë paralajmërim për trazira masive, të cilat thotë se janë organizuar nga përfaqësues të vendeve perëndimore.

Këtë e ka thënë presidenti serb para gazetarëve në përgjigje të një pyetjeje se a po përgatit Perëndimi aksione në territorin e Serbisë me qëllim të kryerjes së grusht shtetit, shkruan index.hr.

“Sot kemi marrë informacion zyrtar nga Federata Ruse, i cili është transmetuar dhe ka kaluar nëpër kanale zyrtare. Këtë informacion e kemi marrë, po merremi me të. Përgjegjëse është Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (SOA), njerëz të specializuar në këtë si në qeverinë serbe ashtu edhe në të gjitha vendet e tjera, ata e bëjnë punën e tyre”, tha Vuçiq.

“Ata që ëndërrojnë se do të arrijnë diçka me forcë nuk do ta bëjnë. Serbia po ecën përpara në mënyrë të pashmangshme, ata nuk mund ta ndalojnë atë. Dhe nuk do të ndalet. Dhe askush nuk do ta ndalojë më kurrë. Ky është mesazhi im për të gjithë. Njerëzit nuk duhet të shqetësohen, fare nuk kanë pse të shqetësohen. Në shtëpi le të shikojnë basketbollistët tanë…”, ka përfunduar presidenti i Serbisë.

Theksojmë gazeta që kontrollohet prej regjimit, Veçernje Novosti njoftoi se përfaqësuesit e opozitës properëndimore në Serbi janë të gatshëm të përdorin protestat kundër minierës së litiumit të planifikuar për 10 gusht në Beograd për të pushtuar pallatin presidencial, për të eliminuar kreun e shtetit dhe për të nisur skenarin ukrainas.

Ndryshe, Vuçiq me dhjetëra herë ka deklaruar se po përgatitet një “grusht shtet” në Serbi ndërsa gazetarët e lajmeve serioze shkruanin satira në vend të njoftimeve ‘serioze’.