Top sekret: Në afërsi të Gjilanit, Serbia kishte bërë përgatitje për të ndërtuar një hidrocentral që do të përmbyste 33 fshatra shqiptare

Janë publikuar disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, të cilat për vite me rradhë kanë qenë të klasifikuara me siglën “Tepër sekret”, që i përkasin vitit 1968.

Në këtë dosje ndodhet edhe një korrespodencë e Drejtorit të Zbulimit Politik Shqiptar, Jonuz Mersini, me Behar Shtyllën, Drejtorin e Drejtorisë së Marrdhënieve me Jashtë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, ku kreu i Zbulimit Shqiptar, me anë të një raport-informacioni, njofton me detaje e hollësira lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në rajonin e Ballkanit dhe shtete të ndryshme të Evropës, si dhe në Kosovë e në të gjithë Jugosllavinë e asaj kohe, ku Beogradi zyrtar ishte nën frikën e një agresioni ushtarak nga Bashkimi Sovjetik, ashtu siç kishte bërë në Çekosllovaki.

Raport-informacionet e sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës, Ali Kruja, dërguar sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo, në të cilat ai e informon me detaje lidhur me informacionet e marrë në rrugë operative prej shoferëve jugosllavë që vinin për të marrë mineral kromi në minierën e Pacit, lidhur me ngjarjet në krahinën e Kosovës, ku Beogradi zyrtar kishte filluar rekrutimet dhe stërvitjet e mëdha ushtarake, për t’i bërë ballë ndonjë sulmi nga jashtë, që mund t’i vinte nga Bashkimi Sovjetik.

“Në afërsi të Gjilanit, në lumin Morava, nga Republika e Serbisë, para disa kohësh u bënë përgatitjet për të filluar ndërtimin e një hidrocentrali që do të përmbytë 33 fshatra shqiptare. Për të ndaluar ndërtimin e këtij hidrocentrali, shkuan tek Tito, Fadil Hoxha dhe Veli Deva, mbas së cilës me urdhër të Titos, u pezullu ndërtimi. Ky veprim ka rritur autoritetin e Fadilit dhe Veli Devës në atë zonë. Hidrocentrali do jepte energji për Serbinë”

Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion të vitit 1968, me siglën “Tepër sekret”, të Drejtorit të Zbulimit Politik pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, Jonuz Mersini, drejtuar Behar Shtyllës, në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me situatën në Krahinën Autonome të Kosovës, si dhe në të gjithë Jugosllavinë e asaj kohe, ku Beogradi zyrtar, ishte nën ankthin e frikën e një sulmi të mundshëm të Bashkimit Sovjetik, ashtu siç Moska zyrtare kishte bërë ndaj Çekosllovakisë. Po kështu, krahas këtij dokumenti, lidhur me gjëndjen në Kosovë dhe Jugosllavi, është dhe një raport-informacion i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës, Ali Kruja, dërguar sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë dhe Jugosllavinë e asaj kohe. Për më shumë rreth këtyre, si dhe një raport-informacioni të detajuar të Zbulimit Shqiptar, për ngjarjet në disa shtete të Ballkanit, Evropës e deri në Afrikën e Veriut, na njohin dokumentet në fjalë, që Memorie.al, i publikon të plota në këtë shkrim, përcjellë Ballkanweb.               

1. Më datën 28 Maj 1968, në Kosovë është bërë thirrja nën armë e datëlindjes 1950, 40 përqind të rekrutëve të rinj, i kanë mbajtur në Kosovë, ndërsa pjesën tjetër i kanë dërguar në Republika të tjera të Jugosllavisë.

2. Në afërsi të Gjilanit, në lumin Morava, nga Republika e Serbisë, para disa kohësh u bënë përgatitjet për të filluar ndërtimin e një hidrocentrali që do të përmbytë 33 fshatra shqiptare. Për të ndaluar ndërtimin e këtij hidrocentrali, shkuan tek Tito, Fadil Hoxha dhe Veli Deva, mbas së cilës me urdhër të Titos, u pezullu ndërtimi. Ky veprim ka rritur autoritetin e Fadilit dhe Veli Devës në atë zonë. Hidrocentrali do jepte energji për Serbinë.

3. Gjatë mbledhjes akademike për të përkujtuar 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, rinia dhe intelektualët e Gjilanit shprehën si në shumë qytete të tjera dashurinë për Republikën Popullore të Shqipërisë dhe udhëheqjen e Partisë të vëndit tonë, duke hedhur parrulla të tilla, si “Rroftë Skënderbeu”, “Rroftë Enver Hoxha”, “O burrani se erdhi Skënderbeu”, etj.

4. Këtij manifestimi të ndjenjave të patriotike të gjilanasve, serbët j’u përgjigjën me kundërparrulla shoviniste të shkruara apo shpërndara apo të ngjitura nëpër mure, si: “Poshtë Skënderbeu”, “Kosova është e Serbisë”, “Poshtë Shqipëria”, “Poshtë Tito”, “Rroftë Serbia”, “Rroftë Car Dushani”. Për këtë në Gjilan janë arrestuar 15 serbë, të cilët janë akoma në burg të pagjykuar dhe të padënuar

5. Në Kosovë dhe jashtë saj vazhdon jehona për delegacionin e shkencës së Universitetit Shtetëror të Tiranës, që mori pjesë në simpoziumin e Prishtinës kushtuar 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Atje flitet me simpati dhe admirim për kumtesat e tyre dhe për bisedat që kanë pasur me kosovarët e ndershëm. Kjo ka ndikuar në shtimin e dashurisë, të respektit dhe besimit të kosovarëve ndaj vëndit tonë. Nga ana tjetër, sa ditë kalojnë, ndjenjat patriotike dhe kërkesat për të drejtat po bëhen me të theksuara në popullin kosovar.

Duke u gjendur para një situate të tillë, qeveria jugosllave në forma të ndryshme, po merr masa për një kontroll më të fortë të popullsisë shqiptare në Kosovë, sidomos tek intelektualët dhe të rinjtë, si dhe për një kufizim, mundësisht sa më të madh të kosovareve me Shqipërinë. Ata kanë dhënë udhëzime organeve kompetente federative, republikane (Serbisë) dhe krahinore (Kosovës) që me takt të evitojnë marrëdhëniet dhe kontaktet e Kosovës me Shqipërinë, të tërhiqen gradualisht nga kërkesat e tyre të avancuara, të bëra për kontakte dhe shkëmbime me vëndin tonë, dhe të vendosin një kontroll më të mirë mbi ato institucione apo persona, që manifestojnë ndjenja antiserbe dhe pro-shqiptare.

Kjo gjëndje megjithëse në hapat e para, po kuptohet nga masat kosovare, sidomos nga kuadrot patriotë dhe anti-titistë dhe po i preukupon fakti që ndoshta në një të ardhme mund të fillojnë gradualisht që përsëri të vendoset gjëndja që ishte para Pleniumit të IV-të të Brionit.

Burimet tona, si dhe patriotët dhe kuadrot e ndershëm kosovarë, me të cilët në raste të ndryshme kemi kontakte, sugjerojnë se tani është koha që nga vëndi jonë, duke shfrytëzuar raste të ndryshme, të dërgohen në Kosovë nga vëndi ynë grupe artistike të teatrit dhe ansamblit, si dhe skuadra të ndryshme sportive, qoftë duke pranuar dhe reciprocitetin, sepse kjo do të krijojë një situatë jashtëzakonisht patriotike dhe entuziaste në Kosovë dhe natyrisht, do t’i shërbente çështjes së rritjes së ndjenjave patriotike dhe lidhjes e dashurisë sa më shumë për Shqipërinë, ose do të bënte që titistët, të mos i pranonin këto grupe në Kosovë dhe kjo njëlloj do të bënte efektin e saj në favor të kosovarëve dhe të Shqipërisë dhe kundër demagogjisë titiste atje. Mendojmë që këto kërkesa të tyre të plotësohen duke shfrytëzuar rastet që mund të paraqiten.