Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë një konference për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëritet, teksa tha se dy shtetet kanë raporte të mira dypalëshe.
“Na vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë. Pres që herave tjera, Osmani të më njoftojë për udhëtimin e saj, edhe atë privat, që të dal në aeroport ta pres miqësisht” shtoi Mickoski.
Ai ka shtuar se sjelljen e sigurimit në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, Maqedonia do ta zgjidh me institucione vendore.
Kurti, ndërkaq, tha se takimi me homologun maqedonas, ishte “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.
Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u zhvillua kur raportet mes dy shteteve janë acaruar për shkak të një incidenti më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidenca kosovare ka pretenduar se një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Më pas, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit.