Ka një mesazh për ty” te “E diela shqiptare” vijoi me ritransmetimin e historisë së jetës së Verës, protagoniste edhe në pjesën e parë të rubrikës dhe marrëdhënies së veçantë me djalin e saj. Vera ka kaluar një jetë plot pengesa dhe ngjarje që kanë shënjuar jetën e saj.
Ja si Vera tregon historinë e jetës së saj: Më fejuan prindërit që në moshë të vogël. U njoha me burrin në moshën 14 vjeçe dhe ai më mbushi mendjen më rrëmbeu. Unë me origjinë jam nga fshati Ndroq i Tiranës, dhe u martova në fshatin Romanat të Durrësit. Jetuam 17 vjet bashkë. Nga kjo martesë erdhën 3 fëmijë të mrekullueshëm. Kishim vështirësi dhe vuajtje megjithatë ia dilnim për bukuri. Ish bashkëshorti im ishte hidraulik. Ai njihet me një familje që ishte zhvendosur nga Kukësi në Durrës, jetonin pranë nesh.
Në bisedë e sipër ata i flasin për vajzën e tyre e cila ishte martuar prej një viti dhe jetonte në një fshat të thellë në Kukës. Duke qenë se ne ishim shumë të dhimbsur nga natyra, burri im propozoi që ta merrte çiftin duke iu ofruar të qëndronte në një dhomat e shtëpisë që kishte familja e tij.
Unë e pranova këtë gjë. Ata erdhën, ishin të dy të rinj. Sapo ishin martuar. Unë isha 30 vjeçe, burri im 40. Vajza që ne strehuam 20 vjeçe. Gjithçka shkonte shumë mirë në fillim, pastaj im shoq nisi të shkonte shumë shpesh tek ata. Burrin e asaj e largonte me punë diku ndërsa shkonte qëndronte gjithë ditën te shtëpia e asaj. Ai ishte një bashkëshort shumë i mirë më përpara, por ndryshoi. Të gjithë më thonin që ai nuk ishte besnik ndaj meje, por i kundërshtoja, pasi besoja tek ai.
Pastaj e pyeta, i thashë “është e vërtetë që ti më tradhton”? I thashë që nëse është e vërtetë mund të shkonte të jetonte me atë, sepse nuk doja të isha në një situatë të tillë. Ai më në fund e pranoi që më tradhtonte. I thashë përsëri që mund të largohej me atë, por i kërkova që të mbaja fëmijët. Ai u nda nga unë ndërkohë që edhe gruaja me të cilën më tradhtonte u nda nga i shoqi. Mirëpo nuk pranoi të më linte fëmijët. Kam vuajtur tej mase për t’i marrë të tre, po arrita të mbaj me vete, vetëm djalin e vogël, Gertianin. Nuk donte të më linte asnjë pjesë nga pasuria. Kam hequr vuajtje dhe tortura të tmerrshme nga ish burri im.
Vera ka ardhur në studion e “Ka një mesazh për ty” për t’i dhënë një mesazh djalit të saj Gertit me të cilin jeton. Ai ka fituar lotarinë amerikane dhe dëshiron të shkojë atje bashkë me familjen e tij dhe nënën.
Gerti ka ardhur në studio me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Në ekranin e murit që i ndan shfaqen Vera dhe Eqeremi.
Vera: Ju jeni engjëjt e mi. Ti je gjithçka për mamin tënd. S’je ndarë asnjë sekondë me mamin tënd. Mami të uron rrugë të mbarë dhe mos e kthej më kokën pas. Unë do jetoj me Eqeremin sepse gjithë ato mirësi që ka bërë Eqeremi për ne, unë nuk i harroj kurrë.
Gerti: I kam thënë mamasë që kur më doli llotaria, i kam thënë nëse ajo nuk dëshiron që unë të iki, unë atëherë nuk iki. Unë do shkoj por nuk do jem me mendje të qetë. Mamaja ime është kryesorja në jetën time.
Ashtu siç tha edhe drejtuesi i emisionit Gjebrea, si një film i bukur por i vërtetë mbyllet edhe pjesa e dytë e “Ka një mesazh për ty”.