Gazetari dhe analisti Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër pas publikimit të një videoje që ai pretendon se është manipuluar dhe ndërhyrë edhe me inteligjencë artificiale.
Mehmetaj ka bërë të ditur se, sipas të dhënave që thotë se i ka marrë nga Policia e Kosovës, personi që ai e identifikon si drejtues të faqes që ka publikuar videon është Benjamin Kurti.
Në deklaratën e tij, Mehmetaj pretendon se Kurti ka pasur më herët raste arrestimi, duke përmendur një rast që lidhet me “mundësim dhe detyrim në prostitucion”, si dhe një rast tjetër për “prezantim të rremë si person zyrtar”, për të cilin thotë se është mbyllur.
Mehmetaj ka ngritur gjithashtu pikëpyetje rreth angazhimit të Kurtit në Kuvendin e Kosovës, duke pretenduar se ai kishte punuar si asistent dhe se ishte futur në këtë pozitë përmes ndihmës së personave të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Emrat individualë të personave që e kanë ndihmuar me u kyç në Kuvend një të arrestuar për prostitucion nuk po i përmendi për momentin, sepse nuk i kam akoma të dhënat zyrtare”, ka shkruar Mehmetaj.
Ai ka thënë se tashmë po merr informacione se personi në fjalë është më afër Vetëvendosjes, duke shtuar se nuk dëshiron të bëjë akuza pa të dhëna të plota.
“Keni hi në mal pa sakicë”, ka deklaruar Mehmetaj, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësit për videon që ai e konsideron të manipuluar.
Në reagimin e tij, Mehmetaj ka theksuar se nuk i intereson përkatësia partiake e personave që i konsideron të përfshirë në raste të tilla.
“Gabimin e keni bo kur nuk e keni kuptu atë që unë shumë shpesh e kam thënë dhe kam qenë krejt i sinqertë: Nuk më ha palla për kriminelë, hajna e matrapaza pavarësisht partisë”, ka shkruar ai.
Më tej, Mehmetaj ka paralajmëruar se do të përpiqet të zbulojë se kush qëndron pas montimit të videos dhe çfarë ndërhyrjesh janë bërë në të.
Ai ka kërkuar edhe përfshirjen e institucioneve të drejtësisë, duke ftuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që ta ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
“Unë e ftoj Policinë e Prokurorinë të më ndihmojë, sepse nesër dikujt i montohet një video e tillë duke vrarë dikë a Zoti ta di”, ka deklaruar Mehmetaj.
Në fund, ai ka thënë se nëse institucionet nuk veprojnë, do të vazhdojë vetë të kërkojë përgjegjësit, duke e cilësuar këtë si një betejë në emër të qytetarëve të ndershëm të Kosovës.