Korrespondenti i BBC-së gjatë luftës në Kosovë, David Loyn, ka folur rrëfen eksperiencën e tij në raportimin nga lufta në Kosovë, duke përmendur edhe pyetjen që kishte bërë Ibrahim Rugovës në njërën nga konferencat për shtyp.
Gjatë intervistës është transmetuar një kronikë e shkurtër e realizuar nga Loyn për BBC në të cilën shihet presidenti tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova, në njërën nga konferencat e tij të mbajtura gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Rugova ishte pyetur nga Loyn në atë kohë se “Si do ta përfshini UÇK-në në procesin e paqes?”
“Për grupin që e përmendni ju jam duke bërë hulumtime se kush janë ata, nëse ekzistojnë apo është lojë serbe. Gjenerator kryesor i dhunës në Kosovë është Serbia”, ishte përgjigjur Rugova.
Loyn thotë se Rugova qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në në atë kohë.
“Një gjë e jashtëzakonshme këtu është fakti se ai qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në. Dhe kishte një qasje të tipit ‘Nuk jam shumë i sigurt se kush janë këta njerëz’. Kjo vetëm dëshmonte shkarjen dhe faktin se kjo nuk ishte luftë e përbashkët”, thotë Lyon gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”.
Loyn, i cili nuk ka qenë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, thotë se është i emocionuar dhe frymëzuar kur sheh Kosovën e pavarur dhe sovrane.
Korrespondenti nga BBC thotë se ishte i ‘goditur’ nga çmenduria që forcat serbe në krye me Slobodan Millosheviq po përpiqeshin të bënin në Kosovë.
“… dukej se po provokonte reagimin i cili në fakt erdhi një vit më vonë”, thotë Loyn.
Loyn theksoi rëndësinë e raportimeve nga mediat ndërkombëtare mbi luftën në Kosovë.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk po shikonte. Po e them shumë troç po të mos ishin gjërat që kemi parë ne si shtypjen e tmerrshme të njerëzve, masakrat ndaj civilëve si dhe guximin dhe zgjuarsinë e të rinjve dhe të rejave që luftuan …”, thotë ai.