Për më shumë se tri dekada i janë dashur Beqir Ibishit që të kthehet në banesën e tij në Mitrovicë të Veriut, prej nga ishte larguar për shkak të situatës së pasigurt asokohe në veri.
72-vjeçari, i emocionuar, tha se dëshira e tij për rikthimin e banesës është realizuar.
Ai tha gjithashtu se ka pasur oferta për ta shitur banesën, porse nuk ka pranuar asnjëherë.
“I mora çelësat mas sa e sa viteve. Në vitin ‘90 kam qenë i detyruar me u largu. Kam ardhur këtu me vizituar pas lufte, ka qenë e okupume prej vitit ‘90. Tash kam me u mundu me rregullu”, ka thënë Ibishi për Kanal 10.
Ibishi theksoi se ka qenë edhe më herët në këtë banesë, porse banorët kanë hezituar t’ia lirojnë dhe se disa herë janë ndërruar pronarët serbë, çka edhe ka bërë më të vështirë rikthimin e saj.
Ndryshe, çelësat e banesës iu dhanë nga Agjencia për Verifikimin dhe Krahasimin e Pronës.