Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani duke komentuar publikimin e bisedës së shefes së grupit parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari-Lila me të sanksionuarin e ShBA-së, Milan Radoiçiq, ka thënë se ajo nuk e përfaqëson politikisht as ideologjikisht.
Madje Rrahmani ka deklaruar se me Kusari-Lilën ka dallime edhe më të mëdha se me Vetëvendosjen.
“Zonja Kusari nuk më përfaqëson mua si deputet. Ajo është shefe e një grupi parlamentar, e cila është propozuar prej kryetarit. Ka marr votën e shumicës të deputetëve dhe si vendim i tillë është respektuar prej meje. Në aspektin ideologjik e praktik unë dallimet shumë më të mëdha sesa me Vetëvendosjen i kam me Mimozën, në shumicën e çështjeve. Mimoza Kusari nuk më përfaqëson as politikisht, as ideologjikisht mua”, është shprehur ai në në tëvë1.
Ndërsa profesori, Dritëro Arifi duke e quajtur Kusari-Lilën problem periferik, ka thënë se problemi kyç qëndron te kryesia e VV-së, që s’merr masa ndaj saj.
“Për fat të keq zonja Kusari nuk është problemi kryesor, është problem periferik, por problemi kryesor po qëndrojka te kryesia e Vetëvendosjes që nuk po marrin masa ndaj këtyre çështjeve”, ka vlerësuar ai.