A do ta forcojë apo dobësojë LDK-në rikthimi i Vjosa Osmanit?

Të shtunën pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën pritet të miratohet “rikthimi” i Vjosa Osmanit në këtë subjekt politik.

 

Ndërkohë, është konfirmuar tashmë se LDK pritet të hy në garë me dy kandidatura, me synim marrjen e dy prej posteve më të larta në vend: atij të Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Kosovës. Sipas informacioneve, kandidat për presidente pritet të jetë Vjosa Osmani, ndërsa për kryeministër Lumir Abdixhiku.

Megjithatë, rikthimi i Osmanit në LDK nuk është pritur mirë nga disa zyrtarë të këtij subjekti politik

Lidhur me këtë, opinionisti Gani Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se rikthimi i Osmanit në LDK është i ndërlikuar për vetë partinë, pasi brenda saj ka figura që nuk e kanë mirëpritur këtë zhvillim.

Sipas tij, disa prej tyre kanë qenë vazhdimisht kritikë ndaj saj që nga largimi nga LDK.

 

Ai thekson se situata është e paqartë edhe në opinion, ku mendimet e votuesve janë të ndara.

“Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK, sa duket të jetë disi i suksesshëm për vetë Vjosën, po aq është bërë edhe i ndërlikuar. Nuk është i ndërlikuar për Vjosën rikthimi në LDK, por është bërë ndoshta “i tepërt” për disa nga ata/ato të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që qysh me përzënien e saj prej LDK-së, kanë qenë shumë të zëshëm kundër saj. Kështu, pak si vështirë edhe të thuhet diçka, nga që mendjet e votuesve janë të çakërdisura, e të mos flasim për analistët, sa ia qëllojnë.

Është një fjalë e urtë popullore që thotë: “Vëllezërit janë si çeliku”, edhe nëse ndahen, mund të ngjiten. Por te LDK-ja ka edhe figura që nuk e kanë mirëpritur rikthimin e Vjosa Osmanit në të, prandaj nuk qëndron këtu tamam fjala e urtë e cekur. Ajo po sulmohet se ia humbi pesë vite LDK-së e çka jo tjetër”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Mehmeti ka deklaruar se, pavarësisht disa pakënaqësive brenda partisë, Osmani është propozuar si kandidate për presidente të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, me synimin që LDK të sigurojë më shumë vota.

“Përkundër disa të pakënaqurve, Vjosa u rendit e para në listën zgjedhore, duke e emëruar atë për kryetare të Republikës së Kosovës, me shpresën se kështu do të fitohen sa më shumë vota nga LDK-ja në zgjedhjet e 7 Qershorit 2026. Ne nuk e mohojmë qëndrimin e dikurshëm potencial për Vjosën kryetare edhe në mandatin e dytë, por ky qëndrim nuk u realizua dhe tani është më ndryshe, për çka varet krejt sa do të arrihet në zgjedhje, me çka shihet se është bërë konfirmimi i saj për kryetare nga LDK-ja”, ka vlerësuar ai.

Tutje, Mehmeti ka vlerësuar se, nëse nuk arrihet marrëveshje mes dy prej tri partive kryesore (LVV, PDK dhe LDK), edhe pas zgjedhjeve mund të mos zgjidhet Presidenti i Kosovës, duke çuar vendin drejt një situate të re zgjedhore dhe bllokade institucionale.

“Me një ndryshim, ndoshta shumë të vogël në rezultatet e tri partive më të mëdha, po nuk u morën vesh dy nga tri subjektet kryesore të deritanishme (LVV, PDK, LDK), edhe këto zgjedhje nuk do ta japin kryetarin e Republikës së Kosovës dhe se, me apo pa formimin e qeverisë pas zgjedhjeve, do të shkohet sërish në zgjedhje, çka do të ishte fatale për Kosovën, e cila do të mbetej tutje pa institucione. Kjo do të vijë nëse cilado parti tjetër nuk do të mund ta formojë qeverinë pa LVV-në, ose e kundërta, nëse LVV vjen e para, për çka do ta ketë të vështirë formimin e qeverisë, përveç, sipas emërimeve, nëse sërish vjen për kryeministër Albin Kurti, ndërsa nga LDK-ja, me marrjen e votave, do të mund të pranohet për kryetare Vjosa Osmani, meqë ajo është e emëruar tani.

Mirëpo, gjithsesi u duhet marrëveshja, që duket bukur e vështirë, pa u shkrirë inatet e tyre të deritanishme mes vete. Me sa unë e shoh, është vetëm një humbje kohe deri pas zgjedhjeve të 7 Qershorit, sepse sërish kryeministër do të vijë Albin Kurti nga LVV-ja dhe kryetare e Kosovës, Vjosa Osmani, tani nga LDK-ja”, ka përfunduar Mehmeti.