Kërkohet që kosovarët të pajisen me shtetësi shqiptare

Avokati Arianit Koci ka kritikuar Republikën e Shqipërisë që nuk po i mbron sa duhet të drejtat e shqiptarëve që gjenden jashtë territorit të saj.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Shqipëria duhet t’i pajis të gjithë qytetarët e Kosovës me shtetësi shqiptare.

Sipas tij, kosovarët nuk po diskriminohen vetëm prej Evropës, por edhe prej Shqipërisë.

“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj – parasheh neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

A po e bën këtë?

Jo sa duhet!

Shumicës së politikanëve kosovarë, estradës, afaristëve, dhe personave që kanë gjetur lidhje, i ka pajisë me shtetësi/pasaporta shqiptare.

Rrjedhimisht, ata nuk kanë nevojë me u pajisë me viza.

Pse ky diskriminim?

Pse nuk na pajisin të gjithëve me shtetësi shqiptare?

A nuk jemi një?

Kosovarët nuk po diskriminohen vetëm prej Evropës por edhe prej Shqipërisë!”, ka shkruar Koci.