Qeveria Kurti zotohet se do ta përgatisë një draft për “Zajednicën”

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se në mëngjesin e së enjtes ia ka dërguar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku është edhe zotimi për përgatitjen e një drafti për themelimin e “Zajednicës”.

Gërvalla këtë e ka njoftuar me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa e ka cilësuar tashmë “Zajednicën” si “detyrim i trashëguar ndërkombëtar i Kosovës”.

“Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ajo.

“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, vijon postimi i saj.

Gërvalla ka shtuar se një draft i këtillë shërben “synimin e qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë”.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”.

“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”. /Insajderi.org/