Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet kandidatit të saj për kryeministër, Bedri Hamaza, ka deklaruar se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Fiks për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën kishte ftuar në darkë pune liderët e partive kryesore opozitare. Në këtë darkë ka shkuar vetëm kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për neve, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta: fillimisht interesi i vendit, i partisë politike dhe në fund për neve si individ brenda partisë. Por mbi të gjitha interesi i qytetarëve të vendit”, ka thënë Hamza.“Kosova është nën masa dhe janë qindra miliona euro të bllokuara si rezultat i moskoordinimit dhe mos bashkëpunimit me faktorët relevantë ndërkombëtar. Këtu kemi të bëjmë me dëmtim të reputacionit të vendit”, ka shtuar ai.