Shumë mërgimtarë që jetojnë në vende perëndimore kanë vetura luksoze, por është raportuar shpesh se ata i shkelin rregullat e trafikut, kur vijnë në Kosovë, përfshirë parkimin në vende ku një gjë e tillë nuk lejohet.
Si duket, disa prej tyre këtë shprehi të keqe e kanë jo veç në Kosovë, por edhe në vendet ku banojnë e punojnë.
Sipas një fotografie të publikuar në grupin e entuziastëve të veturave, “Marakli t’kerreve”, dy automjete luksoze me targa të Gjermanisë shihen të parkuara në mënyrë jo të duhur atje.
Një xhip i tipit BMW X5 dhe një tjetër i tipit Audi Q7 shihet se i kanë shkelur vijat e parkingut. Në pjesët e pasme të të dy veturave ndodhet logoja e grupit “Marakli t’kerreve”, duke lënë të kuptohet se pronarët e tyre janë shqiptarë.
Një anëtar i grupit e ka publikuar fotografinë me mbishkrimin “Marakli t’ran ishin qeta dy”, duke dashur që t’ua lavdërojë veturat dhe logot e grupit që i kanë vendosur në to, pa e përmendur faktin se ato janë të parkuara në mënyrë jo të duhur.
Një komentuesi i ka rënë në sy parkimi jo i duhur, duke shkruar: “Veç me parku pak ma mirë.”
Në rrjete sociale shpesh shohim postime, sidomos gjatë verës, ku ka ankesa për mënyrën se si vozisin dhe ku parkohen automjetet e mërgimtarëve. Natyrisht, nuk duhet ta harrojmë faktin se shkelje të tilla bëjnë edhe ata që jetojnë në Kosovë.
Policia e Kosovës vazhdimisht njofton për shqiptimin e gjobave për shkelje të ndryshme në trafik.