“Serbinë e pret lufta, jemi në presion!”, Tensionet me Kosovën, Vuçiç bën lëvizjen e menjëhershme

Presioni ndaj Serbisë nuk ka qenë kurrë më i madh. Kështu pretendon ministri i Financave në serbi, Sinisha Mali, i cili konfirmoi se presidenti Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra liderëve europianë, këtë mëngjes, për çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës.

Siç pretendon, Vuçiç u ka shkruar kancelarit të Gjermanisë Olaf Sholc, presidentit francez, Emanuel Macron, dhe liderëve të tjerë.

“Nuk e kam parë presidentin më të shqetësuar se këto ditë. Presionet dhe problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, deklaroi ministri i Financave që përmendi si sfida, Kosovën, sanksionet ruse dhe rezolutën për Srebrenicën.

“Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe lufta që na pret”, tha Mali, duke shtuar se Serbia do të bëjë gjithçka që anëtarësimi i Kosovës të mos ndodhë. Ai theksoi se kushdo që e njeh Vuçiçin, e di se dorëzimi për të nuk është një opsion dhe se ai gjithmonë fiton.