Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë kush mendoi se ishte mjegull e zakonshme, por jo. Kemi të bëjmë me një fenomen natyror të zhvendosur nga Afrika Veriore, pluhuri afrikan.
“Vendi ynë ndodhet nën ndikimin e masave të ngrohta me origjinë nga veriu i Afrikës dhe sjellin me vete edhe pluhurin e Saharasë. Është një fenomen që vendi ynë është prekur disa herë. Është pothuajse gjithë Mesdheu i prekur, duke përjashtuar gadishullin Iberik, pjesa tjetër Europa qendrore, shkon deri në Holandë, Rumani, sipërfaqja që preket.
Përqendrimi gjatë ditës së sotme ka qenë më i lartë i grimcave të pluhurit në ajër dhe kjo e ka bërë shqetësuese për qytetarët pasi është e dëmshme për rrugët e frymëmarrjes, sjell problematika sa i përket shikimit horizontal dhe vertikal, si për transportin rrugor dhe atë ajror. Është e gjithë pjesa perëndimore e vendit e prekur me përqendrim më të lartë të grimcave të pluhurit”, thotë specialistja e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Anira Gjoni.
Jo vetëm Shqipëria por e gjithë pjesa jugore e Europës është e mbuluar nga pluhuri, ndërsa zonat që goditen me shumë janë Malta, Greqia dhe Italia e jugut.
Mediet e vendit fqinj Italisë, raportojnë për Ciklonin e Kolombit, me mot të keq deri në stuhi dëbore dhe breshëri duke na kthyer në dimër. Reshjet e mëdha do të godasin veriun e Italisë dhe në Alpet pritet të shfaqet ‘Bora e Kuqe’ fenomen i përzierjes së borës me rërën afrikane.