“U desh që përsëri të jepnim dëshmor”, krerët e shtetit nderojnë heroin Afrim Bunjaku në 16 vjetorin e pavarësisë

Përvjetori i 16-të i pavarësisë, Kosovën po e gjen me një dëshmor të ri. Rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ra heroikisht derisa ishte në detyrë mëngjesin e 24 shtatorit 2023 kur Kosova u përball me një sulm terrorist në veri të vendit.

Në fjalimet e tyre sot në Kuvendin e Kosovës, Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti, nderuan veprën e tij.

Osmani tha se ai bashkë me kolegët e tij i japin kuptim motos së sivjetme “Kosovë, ne të dalim zot”.

“Në mëngjesin e 24 shtatorit, djemtë e vajzat tona në uniformë, kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për të mbrojtur e mbajtur të lirë vendin e tyre. Ata kanë dëshmuar se atdhedashuria është virtyt e virtyti kërkon edhe sakrificë. Me sakrificën e tyre e përkushtimin ndaj atdheut ata dëshmuan se Kosova është dhe do të mbetet e lirë, sovrane dhe e zonja që së bashku me aleatët e saj të mbajë të palëkundur paqen në rajon. Ata i dhanë kuptim plotësisht kuptim motos së sivjetme të festimeve “Kosovë, ne të dalim zot”. Heroi Afrim Bunjaku, familjen e së cilit e përshëndesim sot, dha jetën e vet për t’i dhënë jehonë kumbuese motos: Kosovë, ne të dalim zot sot e përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të dhe gjithë heronjtë tanë!”, tha Osmani.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti tha se Serbia në vend se ta zgjidhte fqinjësinë e mirë europiane me Kosovën, ajo zgjodhi terrorizmin, derisa shtoi se Kosovës iu desh ta jepte edhe një dëshmor.

“Në vend të saj ajo madje përqafoi terrorizmin edhe aty dështoi me turp përballë heroizmit dhe profesionalizmit të policisë sonë. Mirëpo, për mbrojtjen e Republikës sonë prej terroristëve të financuar, ushtruar dhe drejtuar nga Serbia u desh që përsëri të jepnim dëshmor. Rreshteri Afrim Binjaku i shtohet pleadës së dëshmorëve tonë. Pa sakrificën sublime të tyre ne nuk do të përkujtonim sot përvjetorin e Republikës. Lavdi dëshmorëve! Republika kurrë nuk ju harron”.

/GazetaSinjali/