Në Podujevë është duke u mbajtur marshi për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar.
Në marsh janë duke marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, ku edhe po kërkohet drejtësi për rastin e Lulzim Fejzullahut, transmeton Telegrafi.
“Gjaku jo nuk shitet”, “Drejtësi për Lulzimin”, “Gjaku nuk është ujë”, “Drejtësi për vëllaun tonë”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve.
Ndryshe, Prokuroria ka vendosur masën paraburgim për dy të miturit e dyshuar që morën pjesë në përleshjen fizike, pas së cilës Lulzimi mbeti i plagosur dhe më pas u dërgua për trajtim mjekësor në QKUK ku ndërroi jetë nga plagët e marra më 20 janar.
Rasti nga policia është cilësuar si vrasje e rëndë dhe është dënuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Vrasja mizore e Lulzim Fejzullahut duhet të jetë alarm për të gjithë, përfshirë institucionet, për të punuar më shumë me të rinjtë dhe të rejat, që të orientohen sa më shumë drejtë arsimimit dhe edukimit, në mënyrë që të mos e shohin dhunën si zgjidhje dhe që të qëndrojnë sa më larg sjelljeve agresive dhe akteve të dhunës që mund të përfundojnë me pasoja tragjike”, kishte thënë Kurti gjatë vizitës për ngushëllime te familja e të ndjerit.