Nga një janari (sot), furnizuesi Elektrosever ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri.
Kështu thotë kryeshefi i operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), Evetar Zeqiri, i cili përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se ky është një sukses në sektorin e energjisë, përveç liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së papenguar me targa të Republikës së Kosovës.
Zeqiri ka thënë se pas më shumë se 20 vjetëve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit.
“Me 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01’, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, -kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës -ka filluar të nominoj energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 viteve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, shkroi ai.
Ndërkaq, Zeqiri, postimit ia bashkangjiti edhe dy fotografi, ku tregohet periudha rreth 1 orë para ndërrimit të motmoteve dhe një tjetër disa minuta pas fillimit të nominimit.
“Fotografia e parë (në të majtë) tregon periudhën rreth 1 orë para orës 12:00h, para fillimit të nominimit. Ndërsa fotografia e dytë (në të djathtë) tregon kohën diku rreth 6 minuta pas fillimit të nominimit. Vërehet menjëherë një nivel i devijimeve të pa qëllimshme dukshëm më i ulët, pra afër zero”, ka thënë ai.