Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë se zgjedhjet e së dielës, për shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin një dështim, për shkak të përçarjes së tyre, çka solli bojkotin më të madh të ndodhur ndonjëherë në zgjedhje. Për përçarjen ai ka një akuzë të drejtpërdrejtë dhe e adreson atë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Fatkeqësisht zgjedhjet kanë përfunduar me një bojkot të paparë në 3 dekadat e fundit. Nga rreth 80 mijë votues përafërsisht kanë dalë vetëm 13-14 mijë votues. çka do të thotë se rreth 60 mijë i kanë bojkotuar këto zgjedhje. Kjo si rezultat e politikës përçarëse që kemi në Luginën e Preshevës, që janë bërë dy lista. Përçarja si rezultat i asaj që kryeministri Kurti ndërhyn pa ndërprerë dy vitet e fundit; se nuk është e para herë që jemi duke u përçarë por edhe vitin e kaluar në zgjedhjet parlamentare u duk qartë. Ndërhyn Kurti në mënyrë të pandërprerë në Luginën e Preshevës, jo vetëm ndërhyrje politike por edhe me financat.”
Rezultati, thotë Arifi, është dëshpërues. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sipas tij, do të kishin arritur të merrnin 4 mandate, nëse nuk do të kishte ndodhur përçarja.
“Fatkeqësisht kemi patur zgjedhjet më dëshpëruese deri tani. Dhe në këtë formë shqiptarët nuk fitojnë asgjë. Sepse Kamberi është një i përzgjedhur, doraputhës i Kurtit, i cili është për mandatin e katërt duke garuar tani. Nëse do të kishim qenë të unifikuar do të kishim patur 3-4 deputetë”.
Kurti, thotë Shqiprim Arifi, ka tentuar të përçajë shqiptarët edhe në Tiranë e Shkup.
“Kjo nuk po ndodh vetëm në Luginën e Preshevës. Kjo po ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka tentuar ta bëjë të njëjtën edhe në Shqipëri. Kurti është fajtori kryesor për dështimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që kanë bojkotuar edhe zgjedhjet. Por ka edhe bashkëfajtor që është Kamberi, edhe Sinani, edhe të tjerë që kanë bashkëpunuar me të.”
Kryetari i Komunës së Preshevës thotë se shqiptarët e Luginës patën kundërshtarë në këto zgjedhje jo vetëm serbët, por edhe Vetëvendosjen.
“Por në këto zgjedhje kemi garuar kundër Kamberit, por edhe kundër Vetëvendosjes.”
Ndryshe nga qeveria e Prishtinës, thotë Arifi, politika e Tiranës ka qëndruar larg ndërhyrjeve në këto zgjedhje.