Ish-agjenti federal për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve financiare, John Mynihan, ka dorëzuar një dosje në Departamentin e Drejtësisë (DOJ) kundër ish-prokurorit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), Jack Smith, duke pretenduar se ai ka udhëhequr një “skemë korruptive” brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.
Në tekst është aluduar se ish-prokurori special për hetimin dhe ndjekjen penale të ish-krerëve të UÇK-së ka kërkuar ryshfet prej “100 milionë dollarëve” nga “një kryetar shteti” në mënyrë që të lirohet nga akuzat e pretenduara për krime lufte, duke mos përmendur në mënyrë specifike se për cilin “kryetar shteti” bëhet fjalë. Aty janë përfshirë disa dëshmitarë.
Kush është John Mynihan?
Ish-analisti i CIA-s, Larry Johnson ka reaguar së fundmi pas publikimit të dosjes kundër ish-kryeprokurorit Jack Smith dhe Faik Imerit i cili paraqitej si agjent i CIA-s për të mbledhur dëshmitarë të rremë kundër Thaçit, Veselit e të tjerëve.
Sipas ish-analistit të CIA-s, John Mynihan është eksperti më i mirë në botë për pastrimin e parave dhe krimet financiare. John mësoi për përfshirjen e pretenduar të Jack Smith falë një informacioni nga një mik dhe agjent i DEA, i cili kishte një informator konfidencial, i cili e njoftoi atë për skemën e zhvatjes në ICJ (siç thuhet në ankesë).
https://www.thegatewaypundit.com/2023/12/breaking-trump-prosecutor-jack-smith-alleged-role-extortion/ (Artikulli i plotë i ish-analistit të CIA-s).
Disa detaje të tjera nga dosja:
Së fundmi, në dosjen 151 faqesh që tani iu ka dorëzuar edhe inspektoratit të CIA-s, dëshmitari H.S ka treguar edhe për dosjet e famshme të Hagës të cilat erdhën në zyrat e veteranëve e të cilat i kishte përgatitur në Beograd Faik Imeri, zyrtari i lartë i BIA-s serbe Bojan Dimiq dhe krimineli Milan Radojçiq. Dëshmitari H.S ishte pjesë e këtij takimi duke menduar gjithnjë që Faik Imeri “Floriani” ishte agjent i CIA-s, pasi ky i fundit i ka prezantuar kartelën e CIA-s, dosjet e dokumentet e tjera. Qëllimi i dosjeve ishte dëmtimi i krerëve të UÇK-së. Po ashtu, përgjimi i zyrtarit të lartë të BIA-s serbe Bojan Dimiq tanimë ka dalur në mediat vendore, ku ai shprehet i gëzuar për arrestimin e krerëve të UÇK-së.
H.S ka dëshmuar se si Faik Imeri në emrin e CIA-s e kishte ftuar për ta asistuar në operacionin e dosjeve.
“Një ditë në fund të korrikut ose në fillim të gushtit, ne po flisnim në telefon nëpërmjet aplikacionit të njohur si Signal. Floriani më pyeti nëse isha gati të asistoja në operacionin në Kosovë. Dy-tri ditë më vonë, ai më thirri përsëri dhe më tha se “zyra jonë nga Agjencia dhe Prokurori Jack Smith” kishte vendosur të më përfshinte në operacion. Ai tha se kanë përgatitur disa dosje të kriminelëve të luftës që ndodhen në Kosovë. Dosjet ishin në Beograd. Florianit i duhej që dosjet të dilnin ilegalisht në Kosovë. Ai tha se prokurorët kishin shpenzuar shumë para për hetimin e tyre të krimeve të luftës. Unë iu përgjigja: “Si mund të ndihmoj?” Ai tha se kur të dalin dosjet në Kosovë, do të jetë alarm i madh. Ai tha se këto janë dosje sekrete nga Prokuroria për krimet e luftës. E pyeta se cili do të ishte roli im në operacion. Ai tha se prokurori Jack Smith tha se ne nuk kemi ende prova të mjaftueshme për të arrestuar njerëzit dhe ata duhet të ndryshojnë taktikën e tyre. Ai shpjegoi se roli im në operacion do të ishte t’i ndihmoja ata të merrnin provat që u nevojiteshin. Floriani tashmë kishte nxjerrë informacione në Kosovë përmes asistencës serbe. Mendova se ishte me shërbimet e inteligjencës serbe. Kur do të publikoheshin dosjet dhe personat në dosje filluan të panikohen, detyra ime do të jetë t’i afrohem këtyre njerëzve dhe t’u kërkoj para për të hequr emrat e tyre nga dosjet dhe akuzat për krim. Floriani shpjegoi se kjo do të ishte taktika që do të përdorej. Nëse populli do të pranonte të paguante paratë, Prokuroria do ta dinte se ata ishin fajtorë. E pyeta Florianin: Po sikur të na japin para? Floriani shpjegoi se unë do të merrja 10% të të gjitha parave që ishin paguar dhe se 90% e mbetur do të hynin në llogarinë e tyre të zezë për të financuar operacionet e ardhshme në Kosovë nga zyra e Prokurorit” thuhet në dëshminë e tij.